Google ADS

OAK dhe anëtarët e Komisionit për Ekonomi diskutojnë për bizneset

14:35 | 29 Prill 2021
A. B.

Paraqitja e propozimeve të Odës së Afarizimit të Kosovës (OAK) për Qeverinë, diskutimi i Ligjeve të cilat duhet të plotësohen ̸ ndryshohen ku përfshihen Ligji për Tregtinë e Brendshme, Ligji për Falimentim, Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji për Sponsorizim, Ligji për Investime, Ligji për Investime Strategjike si dhe gjendja e ekonomisë së vendit ishin çështjet kryesore të cilat u diskutuan në takimin në mes përfaqësuesëve të OAK-së dhe Kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shalës së bashku me deputetin Pal Leka.

Nga OAK theksuan se janë të gatshëm të kontribuojnë në detaje për secilën çështje me qëllim të përmirësimit të ofertave dhe klimës së të bërit biznes në vend.

Sekretari i Bordit të OAK-së Diamant Elshani theksoi se në mesin e ligjeve të cilat duhet të trajtohen me prioritet është edhe Ligji për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Elshani, në mes të tjerash theksoi se përfshirja e mediave në ligjin për sponsorizime do të krijonte mundësi për stabilitet financiar të medias dhe do të reduktonte ndikimin politik në politikat redaktuese të medias.

Përderisa, anëtari i Komisionit Pal Lekaj ka thënë se takime të tilla janë me interes dypalësh.

Lekaj, potencoi se ndihma e dhënë nga Qeveria për bizneset dhe qytetarët ishte minimale krahasuar me vendet e rajonit duke veçuar se në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojmë me mbyllje totale të vendit, mirëpo vetëm me respektim të masave ose duhet të përkrahet paraprakisht biznesi.

OAK në fund të takimit theksoi se është e domosdoshme që veprimet e Qeverisë dhe Kuvendit të mos bëhen pa qenë në koordinim paraprak me bizneset dhe se përkrahja ligjore nga shteti për biznesin është shumë e rëndësishme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme