Kandidatët që deri më tani sigurojnë mandatin e deputetit në Shqipëri

09:47 | 29 Prill 2021
A. B.

Deri më tani kandidati më i votuar nga zgjedhjet e 25 prillit rezulton të jetë Taulant Balla në qarkun e Elbasanit, me mbi 20 mijë vota, ndërkohë kandidati për deputet i PD-së Luçiano Boçi është i pari që thyen herësin duke siguruar mandatin për deputet pavarësisht renditjes poshtë në listën e partisë.

Deri më tani qarqet, Gjirokastër, Kukës dhe Dibër kanë mbyllur numërimet.

Partia Socialiste me 53.83 për qind e fitoi qarkun Gjirokastër me 10,600 vota diferencë ndaj Partisë Demokratike me 30.65 për qind.

Kandidatët që bëhen deputetë janë: Bledar Çuçi, Laert Duraj dhe Mirela Kumbaro nga PS dhe Tritan Shehu nga PD.

PD me 62.26 për qind fitoi qarkun Kukës me rreth 11 mijë vota diferencë nga PS me 35.84 për qind.

Deputetët e Kukësit janë kandidatët e listuar sipas renditjes së kryetarëve: Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj për PD dhe Gerta Duraku nga PS.

PD me 45.13 për qind fitoi qarkun Dibër me 278 vota më shumë se PS me 44.7 për qind. LSI nuk mori asnjë mandat pavarësisht se për të votuan rreth 4,400 qytetarë.

Mandatin e morën kandidatët e listuar sipas renditjes së kryetarëve: Xhelal Mziu, Kreshnik Çollaku dhe Dhurata Çupi për PD; Lavdrim Krrashi dhe Aurora Mara për PS.

Për t’u theksuar se Dionis Imeraj, ish-kryebashkiaku i Dibrës, nuk arriti të fitonte mandatin e deputetit pavarësisht se u votua më shumë se numri 1 i listës, Lavdrim Krrashi.

PS me 55.99 për qind fitoi qarkun e Beratit me rreth 20 mijë vota diferencë me PD me 30.45 për qind. Shtatë mandatet e Beratit ndahen ndërmjet PS me 5 mandate dhe PD me 2 mandate.

Në Qarkun e Durrësit PS fitoi me 50.25 për qind kundrejt 41.44 për qind të PD. Kështu nga 14 mandatet PS mori 8 dhe PD mori 6.

Në Qarkun Fier, PS fitoi me 55.69 për qind kundrejt 37.21 për qind të PD. LSI mori 7.08 për qind dhe siguroi vetëm një mandat. Kështu nga 16 mandatet PS mori 9, PD mori 6 dhe LSI me 1 mandat.

Në Qarkun e Korçës, PS ka fituar me 48.89 për qind kundrejt 40.76 për qind të PD, ndërsa LSI pavarësisht se mori 6.85 për qind nuk fitoi asnjë mandat. Kështu 11 mandatet ndahen ndërmjet PS me 6 dhe PD me 5.

Në qarkun e Lezhës, PD ka fituar me 47.41 për qind kundrejt 38.03 për qind të PD, ndërsa LSI pavarësisht se mori 7.42 për qind nuk fitoi asnjë mandat. Kështu 7 mandatet ndahen ndërmjet PS me 3 dhe PD me 4 mandate.

Në qarkun e Shkodrës PD ka fituar me 43.79 për qind kundrejt 28.1 për qind të PS, PSD 15.23 për qind dhe LSI 9.37 për qind. Kështu 11 mandatet ndahen ndërmjet PD me 5, PS me 3, PSD me 2, LSI me 1 mandat.

PS e fitoi qarkun e Tiranës me 48.67 për qind, më pas u renditën PD me 39.12 për qind, LSI 5.99 për qind dhe PSD 2.84 për qind. Ndarja e 36 mandateve bëhet ndërmjet PS me 18, PD me 15, LSI me 2 dhe PSD me 1 mandat.

PS e fitoi Qarkun e Vlorës me 57.9 për qind, pas u renditën PD me 31.52 për qind, LSI me 6.08 për qind. Ndarja e 12 mandateve bëhet ndërmjet PS me 8 dhe PD me 4 mandate. /Euronews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme