Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka mohuar të martën se blloku evropian ndan qëndrimet e përmendura në një “non-paper” të supozuar, të botuar nga disa media në Kosovë.
“Si rregull i përgjithshëm ne nuk e komentojmë asnjë non-paper të supozuar apo dokumente që pretendohet të jenë non-paper, që paraqiten në media të ndryshme. Në rastin në fjalë, dokumenti i supozuar nuk paraqet pozicionin e BE-së dhe atë nuk e kanë marrë as Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së e as Përfaqësuesi i lartë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.
“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.
Gazeta “Koha Ditore” e ka publikuar këtë dokument, i cili është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, si iniciativë për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.
Gazeta ka shkruar se nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e këtij dokumenti, “por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar gazeta, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog”.
Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paper” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca.
“Ky dokument nuk është i vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane, dhënë Radios Evropa e Lirë.
Në Qeverinë e Kosovës, kanë refuzuar të komentojnë informacionet që përmban ky “non-paper” i ri.
Në BE pohojnë se janë në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Madje Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell ka përmendur edhe datën 11 maj si datë të caktuar për dialog, ndonëse një datë e tillë nuk është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës.
Mirëpo zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë më 26 prill se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim në këtë datë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të enjten do të ketë takime me zyrtarë të lartë të BE-së ku dialogu, sikur edhe përgatitjet për takimin e tij me presidentin e Serbisë, do të jenë ndër temat e diskutimeve.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka nisur më 2011.
Xheneta, Drilonit: Me qenë ti vëllai im, do më kishte ardhur...
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë