Konjufca takim virtual me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, flasin për pandeminë

19:12 | 26 Prill 2021
V. S.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot zhvilloi një takim virtual me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Kryekuvendari Konjufca e njoftoi Sobotka lidhur me konstituimin e Legjislaturës VIII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar se legjislatura e re është një legjislaturë e legjitimuar nga vota plebishitare e qytetarëve në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai tha se legjislatura e re do të garantojë më shumë stabilitet politik dhe institucional, efikasitet në punën legjislative të Kuvendit, por edhe më shumë përgjegjësi e llogaridhënie të klasës politike. Konjufca i shprehu mirënjohje Sobotka, Kuvendit dhe institucioneve të Austrisë, për kontributin e dhënë deri më tani ndaj shtetit tonë, duke theksuar se Austria nuk është vetëm një shtet mik i dëshmuar historikisht, por edhe mbështetëse e Kosovës në të gjitha sfidat dhe rrugëtimet shtetndërtuese.

Kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka uroi kryekuvendarin Konjufca për marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar suksese përgjatë mandatit të tij. Njëherësh, Sobotka konfirmoi gatishmërinë e Republikës së Austrisë, në veçanti të Parlamentit të Austrisë, për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral, shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimin e mëtejmë të miqësisë ndërmjet të dyja vendeve.

Duke e falënderuar homologun e tij austriak për urimin, si dhe për bashkëpunimin në mes të dy parlamenteve, Konjufca rikonfirmoi angazhimin për vazhdimin e programit “Demos-ti”, si program edukativ-qytetar për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme, nëpërmjet të të cilit ata fitojnë njohuri për demokracinë dhe funksionimin e Kuvendit.

Bashkëbiseduesit po ashtu vlerësuan punën e grupeve të miqësisë ndërparlamentare dhe gjithashtu diskutuan lidhur me luftën kundër pandemisë, si dhe për modalitetet e bashkëpunimit mes dyja vendeve në fushën e zhvillimit ekonomik dhe atë të arsimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme