Gjykata Speciale ua vazhdon masën e paraburgimit Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit

17:53 | 26 Prill 2021
V. S.

Gjykata Speciale ua ka vazhduar masën e paraburgimit Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Kjo është bërë e ditur përmes një vendimi të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Aty është bërë e ditur se gjykatësi paraprak, Nicolas Guillou, ua ka vazhduar masën e paraburgimit Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme