90 deputetë “pro” ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale

13:22 | 26 Prill 2021
arbresh.info

Është miratuar në lexim të parë Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 06/L -091.

Me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ky projektligj mori përkrahjen e deputetëve pas një debati disa orësh.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se me ndryshimet që janë propozuar sot nga Ministria e Drejtësisë nuk mund të hetohet edhe vrasja e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

“Po ja rikujtoj kryeministrit Kurti që e tha më herrët që do të kërkojnë që policët që i kanë kryer krimet ndaj dy qytetarëve të Kosovës në vitin 1007 të gjykohen dhe të dënohen në mungesë. Po i them që me këtë propozim që e ka bërë ministrja e tij nuk mund të bëhet një gjë e tillë. Ose nuk jeni koordinuar ose nuk po dini se çfarë po propozoni”, tha ai.

Albin Kurti pret që edhe “vrasësit” e Mon Balaj dhe Arben Xheladini të gjykohen në mungesë – Arbresh.info

Tahiri e akuzoi Haxhiun për mungesë të njohurive rreth procedurave dhe hetimeve që duhet bërë në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe gjykimin e të pandehurve për krime lufte.

“Afati për hetime të tilla është dhjetë vjet, me arrit me qenë efikas dhe me konfisku një pasuri të pajustifikueshme. Ti as nuk je tu lexu, e as nuk je tu pa. Por, dëgjoj njerëzit që i ki në Ministri të Drejtësisë, e ndoshta i mbanë në mend. Hetimet të tilla për dy vjet janë të pamjaftueshme”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave të Tahirit, është kundërpërgjigjur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“S’po e di Abelard kur po e lexon fjalimin a më ke dëgjuar paraprakisht se çfarë kam thënë ose pavarësisht se çfarë kam thënë unë, ti prapë qëndron prapa fjalimit që e ke shkruar”, deklaroi ajo.

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se është shqetësues mos dakordimi ndërmjet ministres Albulena Haxhiu dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Unë ju kuptoj ministre sepse jeni vetë me aktakuzë dhe më e keqja është se Kryeministrin e vendit e kemi me aktgjykim dënues, sepse ne kriminalistike thuhet se çdo kush që bën vepër penale është kriminel”, shprehet Selmanaj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme