Do të ishte e vështirë të mendohej se mund të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan pa dhunë dhe gjakderdhje, vlerësojnë Johhana Deimel, analiste për Ballkanin dhe Valeska Esch, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e Institutit Gjerman Aspen.
Ato mbështesin qëndrimin e ministrit të jashtëm gjerman, Heiko Maas, të paraqitur gjatë vizitës së tij në rajon, se idetë e ripërcaktimit të kufijve në Ballkan janë të rrezikshme.
Përveç që i quajti joreale dhe të rrezikshme këto ide, Maas gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd më 22 dhe 23 prill, tha gjithashtu se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të vazhdojë dhe se zgjidhja kërkon kompromise, por duhet të përfshijë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
Kjo ishte vizita e parë e një ministri të jashtëm i ndonjë prej vendeve anëtare të BE-së, që kur mediat në Ballkan, raportuan për një letër që kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, ku thuhet se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar dhe si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon, është ricaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor.
“E konsiderojmë të rrezikshëm edhe vetëm diskutimin që bëhet për këtë çështje”, ka thënë Maas në Prishtinë.
Gjermania është vend me shumë ndikim në Bashkimin Evropian, prandaj mesazhet e kryediplomatit gjerman për çështjen e ndryshimit të kufijve, dominuan në interesimin e mediave gjatë vizitës së tij, për të cilën ai kishte thënë se qëllim kryesor ka menaxhimin e pandemisë së COVID-19.
Demiel: Fantazma përsëri ka dalë nga shishja
Analistja gjermane për Ballkanin, Johhana Deimel, vlerëson se deklaratat e ministrit Maas, tregojnë se pozicioni gjerman nuk ka ndryshuar që nga periudha e vitit 2018, kur u ngjallën diskutimet për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pozicioni gjerman nuk ka ndryshuar: Ndryshimet e kufijve do të na kthejnë në kohën e shpërbërjes së përgjakshme, në zhvendosjet e popullsisë që sigurisht nuk do të ishin pa dhunë dhe kjo do të na çonte drejt spastrimit etnik dhe drejt shteteve etnikisht homogjene. Kjo, do të ishte në kundërveprim me gjithçka që komuniteti ndërkombëtar ka punuar për dekada, për të pasur shtete dhe shoqëri shumetnike dhe shumëfetare në Ballkanin Perëndimor”, tha Deimel për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, duke komentuar debatet për letrën sllovene, autenticitetin e të cilës Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta vërtetojë, Demiel thotë se kjo situatë tregon se ëndrrat kombëtare për fuqi të mëdha, nuk kanë mbaruar në rajon dhe se këto ide gjejnë tokë pjellore sidomos në kohë të pasigurta.
“Këtë e kemi parë së fundmi në vitin 2018, kur kufijtë midis Serbisë dhe Kosovës ishin në rrezik. Atëbotë ishte fatal fakti se ideja e një shkëmbimi territoresh u mbështet nga Përfaqësuesja e atëhershme e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Frederica Mogherini. Pa dyshim, edhe administrata e SHBA-së luajti rol, së paku duke e toleruar debatin mbi shkëmbimet territoriale. Tash, me Mirosllav Lajçak (Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi) dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës do të rifillojë dhe Brukseli dhe Uashingtoni, janë në të njëjtën linjë në qëndrimin e tyre kundër ndryshimeve të kufirit. Megjithatë, fantazma përsëri ka dalë nga shishja dhe tani bëhet fjalë për Bosnjën, por edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat do të prekeshin gjithashtu”, thotë Demiel, sipas së cilës problemi kyç aktualisht duhet të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe jo çështja e kufijve.
“Përgjigja jonë ndaj këtyre dokumenteve, duhet të jetë një strategji e qartë e kombinuar me fokus zgjerimin e BE-së. Kjo duhet të na zgjojë të gjithëve qoftë në Berlin, Paris, Bruksel apo diku tjetër brenda BE-së. BE-ja duhet të marrë një qëndrim shumë të vendosur kundër skenarëve të tillë. Gjithashtu, nuk duhet të lejojë që disa vende anëtare të BE-së, të braktisin idenë e një Evrope të përbashkët në favor të ëndrrave territoriale kombëtare”, shton analistja gjermane.
Edhe për Valeska Esch, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e Institutit Gjerman Aspen, shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990 ishte çdo gjë tjetër përveçse paqësore, prandaj sipas saj, është e vështirë të imagjinohet se si një rivendosje e kufijve, tani nuk do të çonte në konflikt të ri.
“Ka arsye të mira pse shumë ekspertë dhe qeveri – jo vetëm qeveria gjermane – hedhin poshtë idenë e kufijve etnikë. Më shumë se gjithçka, këto diskutime janë një shpërqendrim nga ajo që është me të vërtetë e rëndësishme këto ditë: lufta kundër pandemisë COVID-19 dhe pasojat e saj ekonomike dhe sociale”, tha Esch për Radion Evropa e Lirë, sipas së cilës, bazuar në hulumtimet e opinionit në lidhje me shqetësimet kryesore të njerëzve në të gjithë rajonin, çështje të tilla si vendet e punës, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i drejtësisë, renditen më së larti dhe jo rivendosja e kufijve.
E pyetur të komentojë deklaratën e ministrit të jashtëm gjerman, për kompromiset e nevojshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për faktin që zgjidhja duhet të përfshijë edhe njohjen e Kosovës, ekspertja Esch, vlerëson se më e rëndësishmja që duhet të ndodhë, është që dialogu të vazhdojë dhe politikanët nga të dyja vendet duhet t’i shmangën diskursit polarizues dhe gjuhës së urrejtjes.
“Është e qartë se të dyja palët do të duhet të bëjnë kompromise dhe do të ishte e rëndësishme për Kosovën të zbatojë Asociacionin / Bashkësinë e Komunave Serbe, për të cilin është zotuar, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kompromiset e tjera do të duhet të negociohen si pjesë e dialogut të udhëhequr nga Brukseli, por ato nuk duhet të përfshijnë një kompromis mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, si e tillë”, thotë Esch.
Çështja e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është diskutuar nga ana e ministrit gjerman me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kosova, sipas Osmanit, ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi të dialogut, ndërsa presidenti Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme për vazhdim të dialogut me Prishtinën dhe dëshiron të arrijë një zgjidhje kompromisi.
Çfarë dihet për dokumentin ‘non-paper’?
Më pak se tre muaj para fillimit të presidencës gjashtëmujore sllovene të Bashkimit Evropian, në media u shfaqën pretendimet lidhur me propozimin e supozuar të Janshës për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.
Sipas përmbajtjes së publikuar, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.
“Kabineti i kryeministrit të Republikës së Sllovenisë, tash për tash, nuk do ta komentojë temën për të ashtuquajturin dokument non-paper për Ballkanin Perëndimor”.
Kjo është përgjigjja ndaj kërkesës për një intervistë, të cilën Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kryeministrit slloven, Janez Jansha, lidhur me dokumentin e pretenduar se ai ia ka dërguar Këshillit Evropian.
Janez Jansha, disa herë është paraqitur përmes Twitter-it lidhur këtë çështje, por ai asnjëherë nuk i ka konfirmuar ose mohuar pretendimet e non-paper-it.
Ai ka theksuar se këto ishin veprime që synonin “të dëmtonin Slloveninë në BE”.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian po insistojnë që kurrfarë non-paper-i i kësaj natyre nuk ka ardhur në institucionet e tyre.
Më 13 prill, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian, u ka deklaruar gazetarëve se zyrtarët e Brukselit janë të njoftuar për shkrimet në media, por që “nuk dihet që një letër e tillë ekziston”.
Peci s’ndalet, kësaj radhe punëson motrën e Xhelal Sveçlës
Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpe...
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...