Google ADS

SHBA do të përgjysmojë emetimet e gazrave deri më 2030

15:50 | 22 Prill 2021
V. S.

SHBA-ja është zotuar të ulë emetimet e karbonit me 50-52% nën nivelet e vitit 2005 deri në vitin 2030.

Ky zotim i ri, do të shpallet në samitin virtual të 40 udhëheqësve globalë dhe njoftimin do ta bëjë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në hapje të samitit.

Bisedimet mbahen më 22 prill në Ditën e Tokës.

“Vendimi do të sfidojë botën në kuadër të ambicieve për luftimin e ndryshimit të klimës”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Takimi dy-ditor shihet si një përgatitje e rëndësishme përpara konferencës së ardhshme të krizës klimatike që e organizojnë Kombet e Bashkuara, dhe e cila do të mbahet në Glasgou në muajin nëntor.

Amerikanët shpresojnë që plani i tyre ambicioz i ri do të inkurajojë Kinën, Indinë dhe të shpallin planet e tyre para takimit vendimtar në Glasgou.

Zotimi i Bidenit paraqet një përditësim të vendosur nga ish-presidenti, Barack Obama i cili në kuadër të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015 kishte parashikuar për një ulje prej 26 për qind në 28 për qind deri më 2025.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump e kishte tërhequr vendin nga Marrëveshja e Parisit, por Biden me të marrë detyrën më 20 janar e shfuqizoi vendimin e tij.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të presin, kombi ynë është i vendosur të veprojë tani”, tha deklarata e Shtëpisë së Bardhë.

Në gjashtë muajt e fundit, rreth 10.3 milionë njerëz u zhvendosën për shkak të thatësirave dhe përmbytjeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, shumica e tyre në Azi, tha më 13 mars, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq (IFRC) dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Në nivel global, 17.2 milionë njerëz u zhvendosën më 2018 dhe 24.9 milionë më 2019. /rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme