Ekspertët e të drejtave të njeriut të Organizatë së Kombeve të Bashkuara thanë të mërkurën se jeta e udhëheqësit të opozitës ruse Aleksei Navalni ndodhet në “rrezik serioz”. Ata i bënë thirrje Moskës të lejojë që zoti Navalni të marrë urgjentisht trajtim mjekësor në një vend tjetër.
“Ne i nxisim autoritetet ruse të sigurojnë që zoti Navalni të ketë qasje tek mjekët e tij e ta lejojnë atë të niset për trajtim urgjent mjekësor jashtë vendit, sikurse bënë në gusht të vitit 2020“, thuhej në një deklaratë të ekspertëve.
Kritiku 44-vjeçar i Kremlinit ndodhet që prej muajit janar në një burg të sigurisë së lartë, në kushte të cilat mund të konsiderohen si tortura ndaj tij, thanë ekspertët, të cilët thanë gjithashtu se zotit Navalni i është “ndaluar mundësia për të marrë kujdesin e duhur mjekësor”.
Kremlini nuk i është përgjigjur ende komenteve së ekspertëve të OKB-së.
Tre javë më parë zoti Navalni u fut në grevë urie, rreth dy muaj pas arrestimit të tij më 17 janar pas mbërritjes në Moskë. Ai u akuzua për shkelje të lirimit me kusht pas kthimit nga Gjermania, ku ai qëndroi pesë muaj për kurim pas një helmimi në Rusi me një agjent nervor.
Shërbimi Penal i Federatës Ruse tha se zoti Navalni kishte shkelur kushtet e lirimit me kusht pas një dënimi për pastrim parash në vitin 2014, të cilin udhëheqësi i opozitës ruse e ka cilësuar motivuar politikisht. Zoti Navalni ka akuzuar Presidentin rus Vladimir Putin se ka urdhëruar shërbimet ruse për ta helmuar atë, akuzë që Kremlini e ka mohuar në mënyrë të përsëritur.
Disa laboratorë evropianë kanë konfirmuar se zoti Navalni është helmuar me Novichok, një agjent nervor prodhuar nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Në fillim të këtij viti një gjykatë ruse vendosi që zoti Navalni të qëndrojë në burg, duke refuzuar apelimin e çështjes. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera Perëndimore kanë dënuar me forcë arrestimin e zotit Navalni dhe kanë kërkuar lirimin pa kushte të tij.
Burgosja e zotit Navalni shkaktoi protesta shumë të mëdha në të gjithë Rusinë. Me dhjetëra mijëra njerëz kërkuan lirimin e tij duke hedhur parrulla anti-Putin.
Sipas OVD-info, një organizatë ruse që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut të mërkurën policia arrestoi shumë mbështetës të zotit Navalni që protestuan në të gjithë Rusinë.
Ekspertët e OKB-së që lëshuan paralajmërimin mbi shëndetin e zotit Navalnit janë raportuesit specialë Irene Khan, Nils Melzer, Morris Tidball-Binz dhe Tlaleng Mofokeng./voa/
Gruaja bie nga kati i shtatë i një banese në Fier, dyshohet ...
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...