Google ADS

Putin kërcënon Perëndimin, Ukraina: Jemi gati për luftë

23:20 | 21 Prill 2021
Trina Galanxhi

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky iu drejtua kombit mbrëmë, duke paralajmëruar qytetarët për mundësinë e fillimit të një lufte më Rusinë.

Ai gjithashtu iu drejtua Presidentit Rus Vladimir Putin drejtpërdrejt, duke e nxitur atë të hiqte dorë dhe duke propozuar një takim, transmeton portal arbresh.info

“A dëshiron Ukraina një luftë? Jo. A është gati për të? Po. Motoja jonë është e thjeshtë: Ukraina nuk do ta fillojë luftën e para, por do të luftojë deri në njeriun e fundit,” tha Zelensky.

Në fund të deklaratës së tij, Zelensky filloi të fliste në rusisht dhe iu drejtua drejtpërdrejt presidentit rus. Ai hodhi poshtë pretendimin e Putinit se forcat ruse do të ishin aktive në Ukrainë vetëm nëse dikush kërcënonte popullatën rusishtfolëse në lindje.

“Është e pamundur të vendosësh paqe mbi tankë. Ju ftoj të takohemi kudo në Donbasin e shkatërruar nga lufta”, i tha ai Putinit.

Kremlini ende nuk i është përgjigjur ftesës së tij, shkruan NYT.

Rusia ka vendosur mbi 100 mijë trupa ushtarake në kufi me Ukrainën.

Vendosja e trupave është konfirmuar edhe nga zyra e Ministrit të Jashtëm Europian, Josep Borrell.

Borrell foli në një konferencë shtypi të hënën për më shumë se 150,000 trupa, duke refuzuar të zbulonte burimin e kësaj figure. Zyra e tij më pas lëshoi një korrigjim duke mos dhënë më shpjegime për numrin e ri, më të vogël, prej më shumë se 100,000 trupash.

Një zyrtar amerikan, i cili foli me Reuters me kusht që identiteti i tij të mos zbulohej, tha se Rusia po grumbullonte dhjetëra mijëra trupa, por nuk ishte në dijeni se kishte shifra të më shumë se 150,000 trupave.

Në anën tjetër, Vladimir Putin mbajti një fjalim vjetor publik që ishte plot kërcënime për Perëndimin.

“Ne duam marrëdhënie të mira dhe me të vërtetë nuk duam të shembim ura. Por nëse dikush keqinterpreton qëllimet tona të mira si indiferencë ose dobësi dhe dëshiron të djegë ose madje të hedhë në erë ato ura, ai duhet të dijë se reagimi i Rusisë do të jetë asimetrik, i shpejtë si një rrufe dhe i mprehtë”, paralajmëroi Putin.

Rusia do të përcaktojë në secilin rast individual se ku është ajo vijë e kuqe, theksoi ai.

Ai shtoi se Rusia “dëshiron të ketë marrëdhënie të mira ndërkombëtare”, por gjithashtu përmendi se sistemet e armëve bërthamore ruse të modernizuara janë gati për përdorim./arbresh.info/

Të ngjashme