Google ADS

Bislimi në takim me ambasadoren e Suedisë në Kosovë, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

17:50 | 21 Prill 2021
A. B.

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur sot në zyrë ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck.

Ambasadorja Hernmarck e njoftoi zëvendëskryeministrin Bislimi për projektet të cilat Suedia është duke i realizuar në Kosovë, e të cilat prekin fushat e demokratizimit, qeverisjes lokale, integrimit ekonomik me BE-në, të drejtat e njeriut si dhe fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Duke e falënderuar ambasadoren Hernmarck për vizitën dhe urimin, zëvendëskryeministri Bislimi tha se e vlerëson thellë mbështetjen që Suedia i ka dhënë Kosovës përgjatë këtyre viteve.
Ai theksoi se Suedia është një shembull për t’u ndjekur, sidomos në fushat në të cilat ajo tanimë po e mbështetë Kosovën.

Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën me pandeminë Covid-19, dialogun Kosovë-Serbi, si dhe çështjen e integrimeve evropiane. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme