Google ADS

Raka: Dobia nga vaksina kundër Covid-19, shumëfish më e lartë sesa efekti anësor

00:08 | 21 Prill 2021
Trina Galanxhi

Mikrobiologu Lul Raka ka apeluar që të aplikohet vaksina antiCovid-19, dhe të mos ketë hezitim në marrjen e vaksinës AstraZeneca, siç është raportuar të ketë ndodhur.

Raka tha se secila vaksinë ka efektet e saj anësore, megjithatë ai përsëriti lutjen e tij që stafi shëndetësor të kryej injektimin, pasi dobia e kësaj kure, është shumëfish më e lartë.

Sipas tij përveç frikës nga AstraZeneca, stafi shëndetësor e preferon më shumë vaksinën Pfizer për ta aplikuar si mbrojtje të sigurt ndaj koronavirusit.

”Dje kam marrë vaksinën në QKMF e Kaçanikut. Deri tani nuk kam asnjë efekt anësor. E kalova 24 orëshin, fazën e parë, pa efekte anësore. Unë dje kam sqaruar, pse kam vendosur ta marrë pikërisht dje vaksinën – sepse në kohën kur Kosova ka kaq pak, qëllimi kryesor i vaksinës është të mbërrijë tek ata që kanë nevojë më së shumti”, tha Raka për Klan Kosovën.

“Në shumë shtete të botës, personat që kanë pasur COVID-19, nuk iu japin vaksinën gjashtë deri në tetë muajt e parë. Dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk e kam marrë në fillim. Por e dimë që në fillim e kanë marrë vaksinën që në ditën e parë kryeministri Albin Kurti etj…E ka marrë Angela Merkel AstraZeneca. Por, pse e mora unë dje vaksinën? Ajo që më ka brengos mua është hezitimi i punëtorëve shëndetësorë për me marrë vaksinën. Nëse shohim sa vaksina Astra Zeneca janë dhënë në Europë afër 40 milionë, e mpiksja ka ndodhë katër në një milionë”, theksoi Raka.

“Tek personat që pinë duhan, ndodhin 1700 raste, konsumues të duhanit. Efekti anësor, duhet të kuptohet cili është rreziku relativ. Dobia e vaksinës është shumëfish miliona herë sesa efekte anësore”, shtoi ai.

Cili është rreziku prej vaksinës?

“T’ja nisim prej duhanit. Çdo pako në duhan shkruan ‚‘‘duhani vret‘‘ ‚‘‘duhani dëmton shëndetin‘‘, mirëpo njerëzit vazhdojnë me pi duhanin. Pijet e sheqerosura, brenda një viti shkaktojnë vdekje. Rreziku nga aksidentet në botë është shumë i madh. Nëse sheh këto faktorë, hezitimi i punëtorëve shëndetësorë është i paqëndrueshëm”, tha ai.

‘Ne nuk e dimë në cilën derë ka me trokit vdekja nga Covid-19 në Kosovë. Nëse punëtori shëndetësor, nuk i beson vaksinës, ndoshta ato duhet të dorëzojnë mantelin e bardhë dhe të kërkojnë punë tjetër. Rreziku më i madh është sot me e pas vaksinën edhe mos me e marrë. Kjo është e patolerueshme”, tha Raka.

“Kanë frikë prej mpiksjes. Arsyeja e dytë është nga stafi shëndetësor thonë ”se duam ta marrim vaksinën Pfizer. Çdo vaksinë shpëton jetë. Efekte anësore ka secila vaksinë. Edhe Pfizer ka efekte anësore. Nëse e ke AstraZeneca mere, s’ka aty hezitim”, tha Raka.

A duhet të ndryshojë strategjia e ministrisë t’ua japë vaksinën kushdo që dëshiron dhe t’mos iu mbesin në depo?

”Ato janë ndarë në kategori. Nëse mbesin vaksinat, duhet t’ju jepen kategorive të tjera. Ne kemi shembuj të jashtëzakonshëm të jetës reale  për vaksina. Shembull i parë është Izraeli. Sot në takimin që kemi pasur me përfaqësues të CDC-së, përfaqësuesi i Serbisë tregoi se, ‘’numri i hospitalizimeve të pacientëve të moshuar, ka rënë në mënyrë drastike pas vaksinimit’’. Edhe në Angli po ashtu. Izraeli më është bërë shembull botëror. Dhe këto shembuj të botës reale ne i shohim. Me vaksina është rrugëtimi drejt normales. Me vaksinë i kthehemi jetës. Nëse kërkon lirim të masave, e dasma, e nuk vaksinohesh – nuk shkojnë të dyja”, theksoi Raka.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme