Çështja e vrasjes kundër ish-oficerit të policisë Derek Chauvin për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd është tani në duart e jurisë, pasi prokurorët dhe avokatët mbrojtës paraqitën të hënën para saj argumentat përmbyllëse.
Qyteti i Mineapolisit ku zhvillohet gjyqi është i tensionuar ndërsa një raund tjetër trazirash si ai që shpërtheu vitin e kaluar, pas vdekjes së zotit Floyd, mund të përsëritet.
Juria me gjashtë anëtarë të bardhë dhe gjashtë anëtarë me ngjyrë po diskuton tani për vendimin, pas një dite të tërë argumentesh mbyllëse në të cilat prokurorët argumentuan se ish-polici Chauvin i mori jetën George Floyd-it majin e kaluar në një mënyrë që sipas tyre edhe një fëmijë e dinte që ishte e gabuar.
Mbrojtja pretendoi se oficeri i bardhë që tani është i pushuar nga puna veproi në mënyrë të arsyeshme dhe se 46-vjeçari vdiq nga një problem me zemrën dhe përdorimi i paligjshëm i drogës.
Prokurori Steve Schleicher përmblodhi çështjen kundër 45 vjeçarit Chauvin, oficeri i bardhë i policisë i cili mbajti të bllokuar me gjurin mbi qafën e tij 46-vjeçarin Floyd, ndërsa ky i fundit gulçonte dhe tha 27 herë, sipas videove, se nuk merrte dot frymë.
“Ai ishte bllokuar nga gjuri në qafë,” tha prokurori Schleicher, për 9 minuta dhe 29 sekonda.
“George Floyd nuk përbënte kërcënim për askënd,” tha Schleicher. “Gjithçka duhej ishte një trajtim me njerëzi, gjë që nuk ndodhi”.
Por avokati mbrojtës Eric Nelson, në më shumë se 2 orë e gjysëm argumenta përpara jurisë me 12 anëtarë, tha se zoti Chauvin veproi me përputhje me trajnimin e tij policor për të ndaluar zotin Floyd pasi i dyshuari fillimisht i rezistoi përpjekjeve të policisë për ta futur në një makinë policie.
“Nëse ishte një përdorim i autorizuar force, nuk ka asnjë krim” argumentoi avokati Nelson.
“Prokura nuk i ka vërtetuar argumentat e veta përtej një dyshimi të arsyeshëm”, standardi ligjor për dhënien e një dënimi, përfundoi avokati mbrojtës ndërsa kërkoi nga juria që t’i hidhnin poshtë akuzat për vrasje.
Avokati i mbrojtjes tha se zoti Chauvin nuk e trajtoi keq zotin Floys, përkundrazi i tha të qetësohej dhe thirri një ekip mjekësor, megjithëse ata arritën pasi zoti Floyd kishte humbur ndjenjat.
Avokati Nelson hodhi poshtë pretendimin e prokurorëve se Chauvin e asfiksoi Floydin, duke thënë se vdekja e tij u shkaktua të paktën pjesërisht nga përdorimi i drogës dhe një problem në zemër.
Por një ndërhyrje rutinë e policisë për një problem të vogël 25 majin e kaluar dhe vdekja e zotit Floyd që pasoi, kanë rezultuar në një nga gjykimet penale më të rëndësishme ndër vite në Shtetet e Bashkuara.
Vdekja e zotit Floyd shkaktoi protesta masive kundër abuzimit të policisë me pakicat në të gjithë SHBA-në dhe në qytete të mëdha në vende të tjera.
Prokurori Schleicher argumentoi se Chauvin, një veteran policie për 19 vjet para se të pushohej nga puna pas vdekjes së Floydit, injoroi trajnimin e tij policor në mënyrën se si e arrestoi atë dhe përdori forcë të tepruar dhe të panevojshme ndaj tij.
Zoti Chauvin ka deklaruar se është i pafajshëm. Nëse dënohet, ai përballet me 40 vjet burg.
Argumenti përmbyllës i zotit Schleicher zgjati 1 orë e 43 minuta, gjatë të cilave, prokurori pohoi vazhdimisht pohonte se zoti Floyd “nuk do të kishte vdekur “, nëse zoti Chauvin do të kishte ndjekur trajnimin e tij policor dhe do t’i kishte dhënë ndihmë mjekësore kur ai tha se nuk mund të merrte frymë.
“Ai keqpërdori forcën policore. Ai nuk ofroi kujdes urgjent. Ai e bëri këtë me qëllim,” argumentoi prokurori Schleicher. “Ai shkeli trajnimin e tij dhe vrau një njeri.”
Prokurori tha se ish-polici Chauvin ishte “indiferent me vetëdije” ndaj jetës së zotit Floyd.
Prokurori Schleicher shtroi pyetjen retorike para jurisë, “A ishte ky përdorim i autorizuar i forcës? A ishte i justifikuar? Nuk ishte.”
“Kjo ishte vrasje,” përfundoi ai.
Gjyqtari Peter Cahill u lexoi anëtarëve të jurisë udhëzime mbi aspektet juridike të çështjes që ata t’i kishin parasysh kur të diskutonin nëse do të dënonin apo shpallnin të pafajshëm zotin Chauvin. Gjykatësi i tha jurisë që të mos arrinte asnjë përfundim mbi pafajësinë ose fajësinë e zotit Chauvin duke u nisur nga fakti që ai nuk dëshmoi në gjyq.
Javën e kaluar, zoti Chauvin përdori të drejtën e tij kushtetuese kundër vetë-inkriminimit dhe nuk dëshmoi. Sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, prokurorët duhet të vërtetojnë pretendimet kundër të pandehurve dhe të pandehurit supozohen të pafajshëm derisa të provohen fajtorë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Juristët do të jenë të shkëputur nga konktakte derisa të marrin një vendim.
Ndërsa çështja është pranë përfundimit, autoritetet në qytetin e Mineapolisit në Minesota janë në gadishmëri për protesta të mundshme nëpër rrugë pas vendimit. Shumë dyqane janë mbuluar me kompensatë për të parandaluar një përsëritje të dëmtimeve dhe plaçkitjeve që ndodhën pas vdekjes së zotit Floyd gati një vit më parë.
Protestat, disa prej tyre të dhunshme, shpërthyen në shumë qytete në SHBA dhe në të gjithë botën. Lëvizja Black Lives Matter ishte në krye të demonstratave dhe mijëra njerëz u bashkuan për të dënuar veprimet e zotit Chauvin, dhe më gjerë, trajtimin policor të pakicave.
Të njëjtat probleme të ngritura nga vdekja e zotit Floyd u vunë përsëri në qendër të vëmendjes në komunitet kur një oficere policie që tashmë ka dhënë dorëheqjen, qëlloi për vdekje një 20-vjeçar afrikano-amerikan gjatë një ndalimi trafiku në një periferi të Mineapolisit më 11 Prill./VoA/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...