Google ADS

Vdes një nga aktorët kryesorë të Peaky Blinders

21:20 | 16 Prill 2021
Arditë Shkodra

Aktorja e njohur britanike Helen Mccrory ka vdekur në moshën 52 vjeçare pas një beteje private me kancerin, njoftuan sot të afërmit e saj.

Vdekja e protagonistes së serialit të njohur ‘Peaky Blinders’, u konfirmua nga bashkëshorti i saj i 14 viteve, aktori britanik Damian Lewis, i cili shkruante në një deklaratë:

“Jam i trishtuar të njoftoj se pas një beteje heroike me kancerin, gruaja e bukur e madhështore Helen Mccrory ka vdekur sot paqësisht në shtëpi, e rrethuar nga dashuria e miqve e familjarëve. Ajo vdiq ashtu siç jetoi, pa pasur frikë. Ne jemi me fat që e kishim në jetën tonë. Fluturo në qiell dhe falemnderit”.
Aktorja ishte një nga yjet më të dashura për publikun britanik me role të shumta në televizion, kinema e teatro. Homazhe të shumta po bëheshin për të në rrjetet sociale.

Helen njihej për rolin e protagonistes Teze Polly në serialin e gangsterëve ‘Peaky Blinders’, si dhe atë të Narcissa Malfoy në serialin Harry Potter.

Në teatër ajo kishte fituar çmimin Richard Burton në 1995 për rolin e Lady Macbeth në dramën e Shekspirit.

Helen ishte martuar me aktorin Damian Lewis në 2007, dhe kishin dy fëmijë bashkë, bijën Manon Mccrory-Lewis, 14 vjeçe, dhe djalin Gulliver, 13.

Për njohjen mes tyre, Helen më parë ka thënë: “Ai më bënte të qesh, dhe vazhdon akoma. Të gjithë duan dikë në jetë që ta duan dhe t’i dojë, por për ne ishte thjesht fat, siç ndodh shumë herë, apo jo?”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme