82 vjeçari Bernie Madoff, financieri që u deklarua fajtor për orkestrimin e një skeme piramidale masive, vdiq në një burg federal të mërkurën, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press një njeri i afërt me ngjarjen.
Maddof vdiq në një qendër mjekësore federale në Butner të Karolinës së Veriut, me sa duket nga shkaqe natyrore, tha me kusht që të mbetej anonim individi në fjalë.
Vitin e shkuar, avokatët e tij i kërkuan gjykatës lirimin nga burgu duke marrë shkas nga pandemia, ndërsa thanë se ai kishte probleme të ndryshme shëndetësore, mes të tjerash, probleme të rënda me veshkat. Kërkesa për lirimin u refuzua.
Madoff pranoi se kishte mashtruar mijëra klientë investitorë duke u marrë miliarda dollarë për disa dekata.
Një firmë ligjore e caktuar nga gjykata ka rikuperuar më shumë se 13 miliardë dollarë nga 17.5 miliardë që investitorët vendosën në biznesin e financierit Madoff. Në kohën e arrestimit të tij, deklarata llogarie të rreme tregonin se klientët kishin investime me vlerë 60 miliardë dollarë.
Për dekada me rradhë, Madoff gëzonte imazhin e një influencuesi në fushën e financave i cili me “mençurinë” e tij sfidonte luhatjet e tregut. Dikur në krye të tregut të aksioneve Nasdaq, ai tërhoqi një numër të madh njerëzish për të investuar, që nga pensionistët në Florida e deri tek të famshmit, si regjisori Steven Spielberg, aktori Kevin Bacon apo lojtari i famshëm i bejsbollit Sandy Koufax.
Por biznesi i tij këshillues për investimet u ekspozua në vitin 2008 si një skemë piramidale e cila u mori pasuritë njerëzve dhe shkatërroi fondacione dhe organizata bamirësie. Ai u bë aq i urryer sa gjatë procesit gjyqësor ai u desh të vishte jelek antiplumb.
Madoff u deklarua fajtor në mars të vitit 2009 për mashtrime në investime dhe akuza të tjera, duke thënë se ishte “thellësisht i penduar dhe i turpëruar”.
Pasi disa muajsh arrest shtëpiak në apartamentin e tij 7 milion dollarësh në Manhatan, ai u dërgua në burg me pranga në dorë ndërsa investitorët e zemëruar e përcollën me duartrokitje në sallën e gjyqit.
“Ai vodhi nga të pasurit, nga të varfërit dhe të gjithë. Ai nuk kishte vlera. Ai i mashtroi viktimat e tij dhe u mori paratë në mënyrë që ai dhe gruaja e tij të kishin një jetë luksoze marramendëse”, tha ish investitori Tom Fitzmaurice gjatë gjykimit të mashtruesit Madoff.
Gjykatësi Denny Chin nuk tregoi mëshirë, duke e dënuar atë me 150 vjet burg.
“Duhet dërguar mesazhi se krimet e zotit Madoff ishin jashtëzakonisht të liga dhe se ky lloj manipulimi i papërgjegjshëm i sistemit nuk është thjesht krim financiar që ndodh në letër, por në të kundërt, një krim me pasoja marramendëse njerëzore”¸ tha gjykatësi Chin.
Madoff gjithashtu mori një goditje të rëndë financiare. Në vitin 2009 një gjykatës lëshoi një urdhër konfiskimi prej 171 miliardë dollarësh të pasurisë së tij, përfshirë pronat, pasuritë e patundshme, investimet dhe 80 milion dollarë pasuri, që gruaja e tij Ruth pati pretenduar se ishin të saj. Urdhëri i la asaj 2.5 milion dollarë.
Skandali ishte gjithashtu shkatërrues për familjen Madoff. Një nga djemtë e tij, Mark, vrau veten në përvjetorin e dytë të arrestimit të babait në vitin 2010. Vëllai i mashtruesit Madoff, Peter, i cili ndihmoi në drejtimin e biznesit, u dënua me 10 vjet burg në vitin 2012, pavarësisht pretendimeve se ai nuk kishte dijeni mbi veprimet keqbërëse të vëllait të tij. Djali tjetër i mashtruesit Madoff, Andrew, vdiq nga kanceri në moshën 48 vjeçare. Gruaja e tij, Ruth është ende gjallë.
Bernie Madoff u dërgua në burgun federal Butner për të shërbyer dënimin, që sipas faqes në internet të burgut do ta mbaronte në nëntor të vitit 2139.
Bernie Madoff u lind në vitin 1938 në një lagje hebre të klasës së mesme në Queens të Nju Jorkut. Në botën financiare, historia e spikatur e ngritjes së tij – si ai u fut në Wall Street me vëllain Peter në vitin 1960 me pak mijëra dollarë që kishte kursyer nga puna si notar shpëtimi dhe instalimi i sistemeve vaditëse – u bë legjendë.
“Ata ishin dy vëllezër të varfër nga lagja Queens që punonin shumë”, tha Thomas Morling, i cili punoi ngushtë me vëllezërit Madoff në mesin e viteve 1980, duke instaluar kompjuterat që e bënë firmën e tyre një udhëheqës të besuar ivestimesh në Wall Street.
“Kur Peter ose Bernie thoshin se do të bënin diçka ata e mbanin premtimin”, tha Morling gjatë një interviste në vitin 2008.
Në vitet 1980, firma “Bernard L. Madoff Investment Securities” zinte tre kate në një ndërtesë të lartë në Manhatan. Atje, sëbashku me vëllain e tij dhe më pas dy djemtë, ai zhvilloi një biznes të ligjshëm si ndërmjetësues mes blerësve dhe shitësve të aksioneve.
Ai u bë më i njohur duke përdorur ekspertizën e tij për të ndihmuar në ngritjen e bursës së parë elektronike Nasdaq. Ai u bë aq i respekuar saqë u emërua këshilltar i Komisionit të Bursës për sistemin. Por ajo që komisioni nuk zbuloi kurrë ishte se parapa skenës, në një zyrë të veçantë të kyçur, Maddof gatuante fshehurazi një skemë mashtrimesh financiare duke përdorur paratë e investitorëve të rinj për të paguar gjoja fitimet e klientëve të vjetër.
Autoritetet thonë se gjatë viteve, të paktën 13 miliardë dollarë ishin investuar me firmën e Bernie Madoff-it. Një kompjuter i vjetër IBM nxirrte fatura mujore që tregonin fitime të qëndrueshme dyshifrore. Deri nga fundi i vitit 2008, përmes faturave pretendohej se llogaritë e investitorëve arritën në 65 miliardë dollarë.
E vërteta e hidhur është se asnjë aksion nuk u ble apo shit. Kryefinancieri i kompanisë së zotit Madoff, Frank DiPascali, tha gjatë pranimit të fajit në vitin 2009 se faturat që detajonin shkëmbimet tregtare ishin “të gjitha të rreme”.
Klientët e tij, shumë prej tyre hebrenj si Madoff-i dhe organizatat hebraike të bamirësisë, thanë se nuk e dinin. Mes tyre ishte edhe fituesi i Çmimit Nobël për Paqen dhe i mbijetuar nga Holkausti Elie Wiesel. Ai tregoi se kishte darkuar shumë vite më parë me Madoff-in dhe kishin biseduar mbi historinë, arsimin dhe filozofinë hebraike por jo për paratë. /VOA
Netanyahu i kërkon kabinetit të tij ta pranojë marrëveshjen ...
Abdixhiku falënderon qytetarët për mbështetjen: Prezenca jua...
Atletico bindëse pas pjesës së parë, Milani në baraspeshë
Sinani i bashkohet thirrjes së Kamberit për vendosjen e flam...
Shpërndahen me gaz lotsjellës dhe ujë protestuesit te sheshi...
Haradinaj në Gjakovë: Me Kosovën fituese drejt NATO-s dhe zh...