Google ADS

Oda e Hotelerisë: Ose të hapen të gjithë nga dita e hënë, ose të mbyllen të gjithë

17:33 | 15 Prill 2021
L G

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në takimin e mbajtur sot me disa pronarë të sallave të dasmave nga të gjitha komunat lidhur me masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid19, ka kërkuar nga Qeveria përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë që të hapet edhe ky sektor për mbajtjen e dasmave me 200 vetë.

Mesazhi i tyre ishte: “Ose të hapen të gjithë nga dita e hënë, ose të mbyllen të gjithë”.

Kryetari i kësaj Ode, Hysen Sogojeva theksoi se pas kësaj mbyllje që është kundërshtuar vazhdimisht, por tash tha se janë të këmbëngulur për hapje, dhe siç theksoi ai në bashkëpunim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia janë duke hartuar manualin për udhëzimin e punës.

“Kemi pasur takim dhe jemi në takime, jemi në procedurë me ministrin Vitia me të cilin jemi duke bërë një manual i cili kishte me qenë si udhëzues se si gastronomia, hoteleria, do të punojnë pas hapjes së kësaj veprimtarie. Ne do të jemi mjaft të kujdesshëm në atë manual, sepse për atë çka vendoset në manual, ajo duhet edhe të zbatohet, sepse do të jemi partner i përbashkët me Qeverinë, përkatësisht me ministrin përkatëse[…]nëse është e lejuar 10 metra katror katër klient në çfarë do restoranti ose çfarë do salle e mbyllur apo e hapur, pse mos të lejohen edhe për 10 metër katror për katër klientë për sallat e dasmave. Kështu që ne nuk kemi kërkuar diçka më shumë, diku rreth 150, maksimumi 200 veta. 200 veta deri në 1 mijë metra katror, madje e pa hijshme duken sallat kur e sheh me pak njerëz”, theksoi Sogojeva.

Afrim Muqiqi këngëtar dhe përfaqësues nga Oda e Hotelerisë tha se nga dita e hënë kur pritet të hapet gastronomia, duhet të lejohen edhe puna e sallave të dasmave.

Muqiqi tha se duhet të hapen të hënën të gjithë, ose të mbyllën të gjithë.

“Ose do të punojmë të gjithë, ose nuk ka për të punuar askush. Ne do ta pranojmë atë manual që ata paraqesin, mirëpo nuk do të lejojmë sikur në të kaluarën që kanë punuar të gjitha kafiteritë, të gjitha shisha bar-at, krejt ëmbëltoret, krejt qebaptoret dhe qendrat tregtare, e i vetmi sektor që është anashkaluar janë sallat e dasmave, të cilat po hyjnë në ditë e 500 e nuk e kanë hapur derën. Ne e theksuam që në fillim, nuk ka qershor e korrik, ose do të hapen të hënën të gjitha, ose do të mbyllën të hënën të gjitha”, theksoi Muqiqi.

Edhe Shkelzen Jetishi pronar i një salle në Gjakovë tha se nuk duhet të vendosen standarde të dyfishta nga Qeveria.
Veprimet e qeverisë sipas Jetishit janë të gabuara për mbylljen e gastronomisë dhe sallave, dhe lejimin e hapjes së kufijve.

Ai tha se në vikendin e fundit mund të jenë infektuar në Shqipëri 4 mijë qytetarë të Kosovës, nga 30 mijë sa ishin atje.

“Zoritë nga partitë politike i kanë future 1 mijë deri 2 mijë vetë, e neve nuk na lejojnë jo 500, por 150 ose 200 vetë. Kjo shumë e pa drejtë. Mbyllja e fundit edhe më e pa drejt, na mbylli neve këtu, ndërsa kufiri me Shqipërinë e len hapur ku kanë shkuar afër 30 mijë persona dhe nëse flasim për anën ekonomike, e dimë të gjitha sa para janë derdhur atje. Nuk kemi asgjë kundër vëllezërve tanë në Shqipëri, por e kam hallin tonë këtu si hotelier e gastronom. E dimë që edhe në Shqipëri ka raste, prej atyre 30 mijë personave, lutem që jo, por 3-4 mijë e kanë marrë virusin”, theksoi Jetishi.

Në këtë takim me numër të madh të pranishëm, u panë edhe shumë pronarë të sallave të dasmave të cilët sot nuk respektuan masat antiCovid-19, që nuk kishin vendosur maskat./Insajder/

Të ngjashme