Google ADS

Kompanitë zvicerane synojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë

14:25 | 14 Prill 2021
arbresh.info

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pritur dje ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës, në Kosovë,  Thomas Kolly.

Ministrja Rozeta Hajdari e njoftoi ambasadorin zviceran mbi prioritetet e ministrisë, duke nënvizuar ngritjen e konkurrueshmërisë në industri, përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, si dhe tërheqjen e investimeve dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit. Ministrja Hajdari shprehu përkushtimin ndaj bashkëpunimin rajonal brenda një kuadri ku Republika e Kosovës trajtohet e barabartë me vendet e rajonit të Evropës Juglindore.

Ambasadori Kolly rikujtoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe, me theks mbi investimet dhe diasporën. Zvicra është vendi i dytë me më së shumti investime në Republikën e Kosovës, ndërsa mërgata kosovare në Zvicër përbën një urë lidhëse kulturore e ekonomike mes dy vendeve. Ambasadori Kolly dhe zëvendësambasadorja Menthonnex Gacaferri folën gjithashtu për profilet e kompanive zvicerane që synojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë dhe të krijojnë vende të reja të punës.

Ministrja Hajdari e falënderoi ambasadorin Kolly për përkrahjen e vazhdueshme që Zvicra e ka dhënë për zhvillimin e Kosovës.

Të dy çmuan marrëdhëniet e mira mes dy shteteve dhe konfirmuan gatishmërinë për të thelluar dhe për të zgjeruar bashkëpunimin./arbresh.info/

Të ngjashme