Google ADS

Për tri javë u infektuan mbi 1 mijë e 200 nxënës e mësimdhënës

13:10 | 14 Prill 2021
V. S.

Në një periudhë trejavore, përkatësisht nga 15 marsi deri më 2 prill, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 532 mësimdhënës dhe 712 nxënës të infektuar me koronavirusin e ri.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Këto të dhëna merren nga Drejtoritë komunale të arsimit, ndërsa të dhënat e sakta i posedon vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) “, thuhet në përgjigjje të kabinetit të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci.

Në institucionet e arsimit parauniversitar dhe atij universitar në Kosovë, aktiviteti mësimor, nga 12 prilli, është duke u zhvilluar në formatin online. Ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të luftimit të koronavirusit.

Nxënësit nga klasat një deri në pesë, aktivitetin mësimor po e zhvillojnë me prani fizike në shkolla. Ndërkaq, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

Mësimdhënësit në Kosovë po kërkojnë nga institucionet shëndetësore që të futën në listën me prioritet për vaksinimin kundër COVID-19, për shkak të siç thonë ata, rrezikshmërisë për t’u infektuar, por edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor në nivel të duhur.

Në përgjigjje të ministrisë së Arsimit, thuhet se “ministrja Nagavci e ka bërë të qartë se kjo do të trajtohet me prioritet dhe për këtë çështje është në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë. Do shikohet që prioritet t’u kushtohet mësimdhënësve me sëmundje kronike dhe atyre në moshë më të shtyer”.

Sa i përket vendimit rreth mënyrës se si do të mbahet mësimi javën e ardhshme, ministrja Nagavci ka thënë se vendimi do të merret varësisht nga rekomandimet e organeve kompetente, por edhe në dakordim me të gjitha drejtoritë komunale./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme