Osmani për gazetën franceze: Duhet ta rivendosim drejtësinë në të gjitha domenet

11:39 | 14 Prill 2021
V. S.

E përditshmja e njohur franceze, “Liberation” ka zhvilluar një intervistë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Shteti më i ri i Evropës e njeh një frymë të ndryshimit me ardhjen e presidentes së re”, është hyrja e këtij mediumi.

Në këtë intervistë, presidentja ka folur për një sërë çështjesh.

Ka një pritje të madhe për drejtësi në shoqëri. Çfarë masash konkrete do të ndërmerrni për ta përforcuar shtetin e së drejtës?

Më e para është procesi i vetingut ku pjesa kryesore do të jetë integriteti. Gjyqtarët dhe prokurorët nuk do të jenë të vlerësuar vetëm mbi performancën e tyre, por edhe mbi bazën e integritetit të tyre. Është shumë e rëndësishme që pushteti juridik dhe prokuroria të jenë plotësisht të depolitizuar.

Veç, a është e mundur kjo në Kosovë?

Kjo do të jetë. Vendi ynë do ta dëshmojë që mund ta ruan veten kur sistemi juridik të funksionojë. Është prioriteti ynë absolut. Po ashtu duhet ta rivendosim drejtësinë në të gjitha domenet e jetës: Shkolla, gjykata, institucione publike…

Si do t’ia bëni për ta zgjidhur problemin e papunësisë dhe për t’i bindur të rinjtë që ata s’janë të obliguar të emigrojnë?

Shkalla e papunësisë tek të rinjtë aktualisht është mbi 50%. Nëse nuk i orientojmë të gjitha investimet tona drejt qytetarëve tanë, nuk do të jemi në gjendje të luftojmë kundër papunësisë. Duhet t’i ndalim këto projekte të rrugëve dhe të autostradave, shumica e të cilave janë të panevojshme. Në lidhje me punësimin, ne do t’i largojmë pengesat burokratike dhe juridike me të cilat ballafaqohet sektori privat. Ashtu që mos të ketë më presion ose ndërhyrje politike. Sa më shumë që ndërmarrjet lokale të jenë të suksesshme, aq më shumë do të ketë vende të punës të krijuara, dhe kjo do të lejojë të tërhiqen investitorët e huaj.

Ju jeni rritur në Mitrovicë, një qytet i ndarë në veri të vendit, simbol i këtyre tensioneve politike. A besoni ju në pajtim?

Natyrisht. Por drejtësia është një parakusht për pajtimin. Ajo që i kërkoj homologëve të mi serb, është që mos t’i ikin kësaj drejtësie. Ata duhet të pendohen dhe të kërkojnë falje për krimet e tyre. Nëse ata nuk duan ta bëjnë këtë për ne, ata duhet ta bëjnë këtë për rininë në Serbi, e cila po ashtu ka nevojë për një të ardhme më të mirë. Ekziston një tendencë e revizionizmit historik lidhur me atë që ka ndodhur në Kosovë dhe në Bosnje. Disa tentojnë ta bëjnë një ekuivalencë morale ndërmjet politikës gjenocidare të Serbisë dhe atë që disa individë mund të kenë bërë pas luftës. Kjo nuk është e pranueshme: ajo që e ka bërë Serbia ishin vepra të një sistemi shtetëror, jo aksione individuale. Kjo ndodhi veç para 20 vitesh dhe banorët e Kosovës e kujtojnë.

Kandidate, Kosova është ende larg nga hyrja në BE. A do të punoni për ta shpejtuar këtë proces?

Sipas të gjitha sondazheve, Kosova mbetet vendi më pro-evropian në botë. Do ta bëjmë natyrisht prioritet. Por në lidhje me liberalizimin e vizave për hapësirën Shengen, ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret para tri viteve tashmë, dhe fatkeqësisht BE-ja nuk e mban premtimin e saj. Dhe me këtë ajo e dëmton kredibilitetin e vet. Unë i bëj një apel Francës, sepse kjo është një çështje e të drejtave të njeriut: ne jemi të vetmit që nuk mund të udhëtojmë lirshëm në kontinent! Sapo që pandemia të jetë prapa nesh, të rinjtë e tërë Evropës do të mund të udhëtojnë, por tanët do të mbesin në geton e tyre.

Fjalët tuaja të para pas zgjedhjes kanë qenë për vajzat e reja të Kosovës …

Shpresoj vërtet që zgjedhja ime të jetë dëshmi që gratë mund ta arrijnë tërë atë që e dëshirojnë, që ajo tregon që secila vajzë e re nga Kosova mund të bëhet po ashtu presidente. Ne e kemi përqindjen më të lartë të grave parlamentare në regjion dhe gratë janë mirë të përfaqësuara në Qeveri. Imazhi i Kosovës ka qenë për një kohë të gjatë ai i një shoqërie të grisur nga lufta dhe nga problemet e tjera. Por ne e kemi një rini të jashtëzakonshme. Sot, imazhi i Kosovës duhet të jetë ai i kësaj rinie dhe i potencialit të saj të rrallë të inovacionit në kulturë, art dhe inxhinieri. Ky potencial i madh mund ta avancojë jo vetëm Kosovën, por mund t’i jep mjaft shumë edhe Evropës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme