Dyzet vite më parë, më 12 prill 1981, anija hapësinore e NASA-s “Columbia” fluturoi në orbitë, duke sjellë një erë të re në fluturimet hapësinore. Pas 30 vitesh e 134 misionesh, Agjencia Amerikane e Hapësirës i dha fund këtij programi, që sipas astronautit Robert Crippen ishte një vendim që lidhej jo vetëm me dështimet e disa fluturimeve, por edhe politik. Robert Crippen ishte njëri nga dy astronautët që kryen fluturimin e parë drejt orbitës me anijen hapësinore “Columbia”.
Në shtator të vitit 1976, NASA prezantoi anijen e saj të parë hapësinore “Enterprise”, gjatë një aktiviteti në Palmdale të Kalifornisë.
Por fluturimi i parë në orbitë ndodhi në 12 prill të vitit 1981 me anijen hapësinore të NASA-s “Columbia”, çka sjolli një ere të re në fluturimet hapësinore.
Ajo ishte anija parë hapësinore e cila mund të përdorej sërish.
Projektuar për t’u nisur si një raketë e manovruar si anije hapësinore ndaj saj mund të kryeheshin shërbime teknike e të lëshohej sërish, brenda disa muajsh. Ajo ishte anija e parë hapësinore e sigurt dhe e ripërdorshme.
Në bordin e anijes, në fluturimin përurues të saj, ishin astronautët Robert Crippen dhe i ndjeri John Young. Fluturimi i tyre dyditor ishte veçanërisht i rrezikshëm pasi shënoi nisjen e parë të një anijeje hapësinore pa kryer asnjë provë paraprakisht.
“Gjithçka që donim të bënim ishte të provonim se sistemi do të funksiononte. Ndaj puna jonë ishte të niseshim, të futeshim në orbitë, të kontrollonim të gjitha sistemet e mjetit fluturues dhe të garantonim një ulje të sigurt”, thotë 83 vjecar Robert Crippen, i cili shërbeu si drejtor i Qendrës Hapësinore John F. Kennedy të NASA-s pas daljes në pension si astronaut.
“Kjo na dha mundësinë që të dërgonim grupe të ndryshme njerëzish në hapësirë, për t’u bërë astronautë. Nuk kishim më nevojë të provonim pilotë, kjo e zgjeroi fushën e astronautëve në një gamë shumë më të gjerë sesa kishim patur ndonjëherë më parë”, shton ai.
Zoti Young, i cili ka ecur më parë në Hënë, vdiq në janar të vitit 2018 në moshën 87 vjeçare.
Pas 30 vjetësh dhe 134 misionesh, programi i anijeve hapësinore të NASA-s përfundoi në korrik 2011.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e ekuipazhit dhe përgatitjen e mirë profesionale të tyre, gjatë misioneve humbën jetën 14 astronautë dhe shpërthyen dy anije, “Challenger” dhe “Columbia”.
Anija hapësinore “Challenger” shpërtheu 73 sekonda pas shkëputjes nga toka në Cape Canaveral të Floridës në janar të 1986. Të shtatë anëtarët e ekuipazhit humbën jetën.
Po kështu shtatë astronautë mes tyre izraeliti Ilan Ramon humbën jetën më 1 shkurt të vitit 2003, kur “Columbia” u shkatërrua në qiell mbi Teksas.
Më 21 korrik të vitit 2011, anija hapësinore e NASA-s “Atlantis” u ul në toke, duke i dhënë fund programit në orbitë të agjencisë.
“Kur Atlantis zbarkoi pas fluturimit të fundit, ajo anije hapësirore ishte një gjendje aq e mirë sa mund të kishte qenë në gjendje të fluturonte edhe më shumë, por politika dhe aksidentet shënuan fundin e programit”, thotë zoti Crippen.
“Do të kalojë shumë kohë para se të kemi një anije hapësinore pothuajse aq madhështore sa ishte ajo”, shton ai.
Pasi anija u nxorr jashtë përdorimit në vitin 2011, NASA iu drejtua kompanive private për të transportuar ngarkesa dhe ekuipazh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
Në maj të vitit të kaluar SpaceX i Elon Musk-ut dërgoi dy astronautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, kompania e parë private që bëri një gjë të tillë.
Që nga viti 1961 vetëm tre vende kanë nisur njerëz në orbitë: Rusia, SHBA dhe Kina, sipas kësaj renditjeje. SpaceX u bë kompania e parë private.
“Ne duhet të dalim nga orbita e Tokës, duhet të kthehemi në hënë, kjo është gjëja e duhur. Ne duhet të mësojmë të jetojmë dhe të punojmë jashtë këtij planeti”, thotë zoti Crippen.
“Ne duhet të kthehemi dhe të mësojmë të jetojmë në Hënë dhe të fluturojmë në Mars. Kjo do të ndodhë një ditë por nuk besoj se do të jem gjallë për ta parë”./VOA
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...