Kurti kërkon përkrahje për aktivistin e Vetëvendosjes për deputet në Qarkun e Lezhës

18:33 | 9 Prill 2021
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar përkrahje për  aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kandidon në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri si kandidat i pavarur për deputet në Qarkun e Lezhës.

Kurti, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Shehu është aktivistë i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2010.

“Qytetarë nga Lezha e Mirdita, nga Laçi e Shëngjini, mos harroni, në 25 prill, në fundin e fletës së votimit, Iliaz Shehun e gjeni si Kandidat të Pavarur me numrin 13. Ai është kandidat #KrejtTjetër”, ka shkruar Kurti./ arbresh.info/

Postimi i plotë:

Me Iliaz Shehun jam takuar para disa viteve, kur ai jetonte e studionte filozofi në Paris. Sot, ai është ligjërues universitar në Shqipëri. Aktivist i Lëvizjes qysh prej 2010, ai kërkon mbështetjen tuaj si Kandidat i Pavarur për deputet në Qarkun e Lezhës, me numër 13.
Synim i VETËVENDOSJE!-s është që të rinjtë si Iliazi t’i kthejë në Atdhe, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë ndryshimin që njerëzit kaq shumë e duan dhe që popullit e shtetit i nevojitet.
Doktorant në Sorbonë, Iliazi është njeriu i duhur për të çuar përpara një projekt të mirëfilltë moderniues dhe evropianizues. Nuk munden më figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, të prodhojnë dot ndonjë gjë të re sot.
Lëvizja është në Lezhë për të qëndruar, dhe me punën e Iliaz Shehut, Marin Nikollës, Emanuela Kamshit e shumë të tjerëve që po kontribuojnë pa u lodhur, shpejt Lezha do të jetë qendër e fortë e Lëvizjes.
Qytetarë nga Lezha e Mirdita, nga Laçi e Shëngjini, mos harroni, në 25 prill, në fundin e fletës së votimit, Iliaz Shehun e gjeni si Kandidat të Pavarur me numrin 13. Ai është kandidat #KrejtTjetër.

Të ngjashme