Britania, “Astrazeneca” për ata mbi 30 vjeç

11:38 | 8 Prill 2021
Arditë Shkodra

Britania e Madhe ka imunizuar mbi 31 milionë banorë me dozat e para të vaksinës.

Shumica kanë përdorur AstraZeneca-n por dyshimet se ajo mund të shkaktojë trombozë, me raste, ka bërë që ekspertët britanikë t’u rekomandojnë personave nën 30 vjeç të zgjedhin një markë tjetër vaksine, për siguri.

“Nuk po këshillojmë pezullimin e vaksinimit për grupe të caktuara. Po këshillojmë që për një grup të veçantë të preferohet një vaksinë tjetër, më shumë prej kujdesit, sesa prej frikës serioze mbi sigurinë e vaksinës.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka konfirmuar lidhjen mes vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut te persona të caktuar.

Në Britani, AstraZeneca-n e kanë marrë mbi 20 milionë veta, nga të cilët 79 kanë përjetuar pasoja si tromboza, apo 4 në 1 milion, ndërkohë që rreziku i vdekjes vlerësohet 1 në 1 milion.

Analizat e autoriteteve britanike treguan se në dy të tretat e rasteve, më të rrezikuara ishin gratë.

Megjithatë, vaksinat kundër kovidit-19 në Angli, në ndërthurje me izolimin e pjesshëm, po japin efekt në uljen e infektimeve dhe të vdekjeve.
Sipas një studimi, në muajin mars vetëm 0,2 për qind e personave të analizuar, apo 1 në 500, rezultuan pozitivë në testin e tamponit.

Infektimet më të shpeshta u vunë re te fëmijët e moshave 5 deri 12 vjeç.
Për moshat mbi 65 vjeç, ata më në rrezik dhe të vaksinuar më herët, rezultati ishte sa gjysma të tjerëve, 1 në 1 mijë persona pozitivë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme