Mjekët rrëfejnë çfarë ndodhi me 74-vjeçaren nga Berati që ndërroi jetë pasi bëri vaksinën

01:19 | 2 Prill 2021
Trina Galanxhi

Donika Babunja, 74 vjeç, ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës, 10 orë pasi kishte bërë vaksinën kineze “Sinovac”. Në orën 11:00 të paradites, ajo së bashku me bashkëshortin Kujtimin shkuan të merrnin dozën e parë në pallatin e Kulturës së Beratit.Në orën 16:00, Donika shfaqi shqetësime shëndetësore.

Bashkëshorti lajmëroi mjeken e familjes, Kamela Musa, për ti ardhur në ndihmë. E moshuara ankohej për dhimbje të barkut dhe kishte të vjella. Mjekja i vendos një serum dhe i kërkon bashkëshortit ta kontaktojë për çdo shqetësim. Gjendja e saj filloi të rëndohej. Ai sërish kërkoi ndihmën mjekes Musa dhe paralelisht, lajmëroi dhe urgjencën në numrin 127. Kur urgjenca mbërriti në banesë, 74 vjeçarja kishte ndërruar jetë.

Mjekja e familjes, e cila u përkujdes për të moshuarën i tha ABC se ajo vuante nga hipertensioni prej 16 vitesh e cila pasqyrohet kartelën mjekësore. Thotë se ishte e rregullt në marrjen e medikamenteve dhe se nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër.

“Vuante nga hipertensioni prej 2006, gati 15-16 vite, mjekohej në mënyrë të rregullt dhe ka qenë e stabilizuar nga tensioni. Vinin të dy bashkë me burrin për të marrë terapinë duke mos shfaqur asnjë problem” – tha ajo.

Mjekja sqaron se bashkëshorti nuk ka lejuar autopsinë e cila do të zbardhte shkakun e vdekjes.

“Unë e gjeta pa frymëmarrje, pa puls. Duke qenë se e gjeta të vdekur ngula shumë këmbë, me të shoqin që të dërgohej në morg për t’u përcaktuar diagnoza, pasi nuk vendosja dot diagnozë, por burri refuzoi në mënyrë kategorike autopsinë. U gjenda e detyruar t’i merrja një deklaratë që refuzon autopsinë, pasi e kisha të pamundur t’i gjeja një shkak” – tha ajo.

E ndjera kishte shkuar të merrte vaksinën së bashku me bashkëshortin, pa rekomandimin e mjekut të familjes. Kujtimi nuk shfaqi asnjë shqetësim, ndryshe nga Donika.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme