Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur konferencë për media, ku ka ritheksuar se PDK nuk do ta mbështesë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente të vendit.
Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë procesin e konstituimit të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të ofrojnë stabilitet të brendshëm, përballim me pandeminë dhe krizën ekonomike, si dhe ta forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, por krijimi i tyre nuk do të duhej të rrezikojë demokracinë, polarizojë shoqërinë, kërcënojë ndarjen e pushteteve dhe as instalimin e një sistemi njëpartiak ku të gjitha pushtetet do të kontrolloheshin nga një parti politike.
“Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte de facto dhe de juro, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin. Kosova do të udhëhiqej nga një politikan autoritar siç është zotëri Kurti dhe partia e tij politike, duke shuar çdo mekanizëm tjetër të kontrollit dhe balancit – ashtu siç do të duhej të ishte në një demokraci parlamentare. Pra, PDK është kundër sistemit njëpartiak dhe e mbështet vetëm një kandidat konsensual për president”, ka theksuar ai.
Fjalimi i plotë i Hoxhajt:
Partia Demokratike e Kosovës e mbështet procesin e konstituimit të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të ofrojnë stabilitet të brendshëm, përballim me pandeminë dhe krizën ekonomike, si dhe ta forcoj pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Por, krijimi i tyre nuk do të duhej të rrezikoj demokracinë, polarizoj shoqërinë, kërcënoj ndarjen e pushteteve dhe as instalimin e një sistemi njëpartiak ku të gjitha pushtetet do të kontrolloheshin nga një parti politike. Prandaj, janë disa arsye pse Partia Demokratike e Kosovës nuk e mbështet as kandidaturën e znj Vjosa Osmani për presidente.
1. Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese por skajshmërisht përçarëse. Ajo tani e disa vite ka qenë politikane që karrierën e saj politike e ka ndërtuar përmes përçarjes në skenën politike të Kosovës dhe duke vepruar çdo herë kundër parimit të unitetit në vendin tonë.
2. Ajo është kandidate partiake jo konsensuale — Vetëvendosja, si e para në zgjedhje, nuk po synon ta zgjedh Presidentin me konsensus, ashtu siç do të duhej të ishte në interes të vendit.
3. Ajo është treguar e njëanshme — Gjatë kohës sa ka qenë u.d. e Presidentes, znj Osmani nuk e ka përfaqësuar Institucionin e Presidencës si figurë mbi partiake, por përkundrazi ka përdorë zyrën e Presidencës për të krijuar një parti politike që t’i bashkohet listës së Vetëvendosjes për të garuar në zgjedhje;
4. Presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë i pavarur politikisht dhe assesi i varur partiakisht. Znj. Osmani ka dëshmuar se është në diktatin total të kryeministrit Kurti dhe që do t’i shërbej vetëm interesave të tij dhe jo të interesave të shtetit të Kosovës.
5. Vjosa Osmani nuk është institucionaliste por populiste — Ajo ka dëshmuar se nuk e respekton protokollin dhe i mungon kultura minimale institucionale. Në kohën sa ishte u.d. e Presidentes, ajo përdorte protokollin dhe privilegjet e Presidencës në shërbim të agjendës së saj politike partiake, duke keqpërdorur edhe protokollin shtetëror madje për të nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhor.
6. Vjosa Osmani është politikisht e ndikueshme dhe jo stabile — Këtë e ka dëshmuar në disa raste për shumë vite që është e luhatshme dhe që më shumë e ndjek interesin personal se sa partiak, e që sot mund të ndjek më shumë atë partiak se sa shtetëror.
7. Kandidatura e Vjosa Osmanit është propozim bazuar në logjikën e shantazhit — Në vend se mazhoranca e re të dilte me një kandidat që përfaqëson më së miri të gjithë shoqërinë dhe në dialog me opozitën meqë po i kërkon votat e saj, ajo kërcënon me një krizë të re që janë zgjedhjet e parakohshme.
8. Vjosa Osmani nuk udhëhiqet nga parimet për interesa të rëndësisë së lartë shtetërore por nga kalkulimet. Shembull është kundërshtimi i saj i madh kundër marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2016 kur Kosova po priste për vizat, dhe e ka nënshkruar të njëjtin dy vite më vonë.
9. Vjosa Osmani nuk ka një platformë të saj të qartë se për cka qëndron për një varg temash të brendshme dhe të jashtme të cilat janë shumë jetike për të ardhmen e shtetit tonë të ri.
10. Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte de facto dhe de juro, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin. Kosova do të udhëhiqej nga një politikan autoritar siç është zotëri Kurti dhe partia e tij politike, duke shuar çdo mekanizëm tjetër të kontrollit dhe balancit – ashtu siç do të duhej të ishte në një demokraci parlamentare. Pra, PDK është kundër sistemit njëpartiak dhe e mbështet vetëm një kandidat konsensual për president./arbresh.info/
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...