Skepticizmi i deputetëve të LDK-së nuk duhet të pengojë zgjedhjen e Vjosa Osmanit

08:00 | 31 Mars 2021
V. S.

Skepticizmi i shprehur nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk duhet të pengojë zgjedhjen e Vjosa Osmanit.

Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në vend, pavarësisht se ende nuk dihen emrat konkret që nuk do të votojnë Osmanin.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se inatet politike vazhdojnë të dëmtojnë LDK-në.

“Më këto qëndrime të tilla thjesht i bëjnë dëm votuesve të tyre dhe mbi të gjitha i bëjnë dëme Kosovës. Të gjithë e kanë gojën plotë Kosovë, por ne po shohim vetëm gabime nga të gjitha partitë”.

Sipas Baraliut, në gjendjen që është Kosova mos formimi i institucioneve vetëm se do të dëmtonte edhe më shumë vendin tonë.

“Ne jemi në një gjendje të rëndë edhe pandemike, edhe politike e ekonomike, andaj do të duhej ta kuptojnë që formimi i institucioneve është i rëndësishme. Formimi i institucioneve është i domosdoshëm në këtë kohë”.

E ndonëse thotë se emrat që nuk do ta votojnë Osmanin ende mbesin enigmë, analisti tjetër, Fitim Salihu thotë se disa nga deputete e LDK-së largimin e Vjosës e shohin si shkaktare të rënies së LDK-së.

“Natyrisht që do të ketë të tillë që nuk do ta votojnë sepse largimin e Vjosa Osmanit e shohin si shkaktar të rënies së LDK-së. Natyrisht që do të mund të ketë edhe të tillë që do ta votojnë për shkak të bashkëpunimit të gjatë në LDK me Vjosa Osmanin”.

Vjosa Osmanit i nevojitet kuorumi prej 81 deputetëve në votimin e parë, dhe një kundërkandidat.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur qëndrimin se nuk do të qëndrojnë në sallë për t’i bërë kuorumin.

Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë, minoritetet jo serbe kanë 10 deputetë, dhe LDK-ja ka 15 deputetë.

Numri prej 83 deputetëve do t’i mundësonte Osmanit zgjedhjen si presidente, nëse në sallë do të rrinin të gjithë deputetët e LDK-së.

Por, deri më tani LDK-ja nuk është unanime në lidhje me qëndrimin për Vjosa Osmanin.

Kjo e fundit vazhdimisht ka shprehur qëndrimin se nuk llogaritë në 10 votat e Listës Serbe./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme