Muller shpjegon sekretin e tij

15:32 | 28 Mars 2021
A. B.

Jo shumë i prirur për të tërhequr vëmendjen, me më pak shkëlqim se shumë shokë të skuadrës; nuk ka numrat e Lewandowskit para portës, por është, gjithsesi, thelbësor.

E vështirë të shpjegosh përse. Ka fizik normal, teknikë brenda normave, shpejtësi të mirë, por asgjë të jashtëzakonshme. Një mister të cilin përpiqet ta shpjegojë vetë Thomas Myller.

“Njerëzit lodhen shumë për t’i shpjeguar vetes apo të tjerëve se si një lojtar pa aftësi speciale në driblim apo në fizik, mund të jetë kaq efikas. Kur isha më i ri, më ndodhte që njerëzit shikonin ndeshjet e mia, ndoshta edhe ndonjë ku shënoja ndonjë gol dhe më pyesnin: “po si ia dole?” Kështu u krijua një lloj miti, kur ka një shpjegim krejtësisht logjik. Një ndër cilësitë e mia është se provoj gjithmonë. Çdo sulmues e di që iniciativat e tij mund të krijojnë rrezik, por jo të gjithë kanë forcën për të bërë 50 çdo ndeshje. Ndoshta 49 herë nuk ta japin topin ose edhe e humbet, por kjo është arsyeja përse duhet ta provosh sërish, pasi ndoshta herën tjetër gabimin e bën mbrojtësi dhe ti shënon. Është diçka më logjike sesa të më atribuohet ndonjë aftësi që s’e kam.”

Por në këtë dëshirë të Mullerit për të dhënë gjithmonë maksimumin, ka edhe një sekret që quhet Guardiola. Një trajner që, edhe pse nuk fitoi Championsin në përvojën e tij bavareze, gjithsesi ka lënë shenjë.

“Avantazhi ynë ishte se Pep erdhi pas triumfit të trefishtë në vitin 2013. Jupp Heynckes sapo ishte tërhequr dhe Guardiola provoi gjithçka për të patur të njëjtin sukses. Ne nuk patëm kohë “të flinim mbi dafina”, pasi Pep kërkonte maksimumin në çdo stërvitje. Donte t’i provonte botës se mund të fitonte në një tjetër kampionat. Për ne, në atë periudhë, ishte e rëndësishme që mund të vazhdonim të fitonim Bundesligën. Pas Guardiolës, ishin 2 apo 3 vjet ku skuadrat e tjera patën mundësi të na zbrisnin nga froni. Kishim momente kur ishim më të dobët, madje për javë të tëra, por të tjerët nuk përfituan. Ndoshta ishim me fat, nuk e di. Ose ndoshta ishim, gjithsesi, më të mirët.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme