Google ADS

“Ibrahimoviqi” i Kosovës ëndërron ta takojë Ibrahimoviqin e vërtetë

21:39 | 23 Mars 2021
A. B.

Jetojnë me mijëra kilometra larg, por e kanë një të përbashkët shumë të madhe.

Ngjashmëria e yllit të futbollit Zlatan Ibrahimoviq dhe Shipdon Jahajt është shumë e madhe.

Djaloshi nga Istogu ngjason aq shumë me futbollistin suedez të Milanit, derisa shumë njerëz e ndalin për fotografi, duke menduar se e kanë takuar Zlatanin. Një gjë e tillë i ka ndodhur sidomos në kohën sa ka jetuar në Holandë dhe në Gjermani.

25-vjeçari Jahaj në një rrëfim për “Zeri.info” flet për ngjashmërinë e tij me Ibrahimoviqin.

“Hera e parë kur kam filluar të krahasohem me Ibrahimoviqin ka qenë në vitin 2015, kur disa shokë më thanë që t’i rris flokët, pasi po dukem si Ibra. Prej atij momenti fillova t’i zgjas flokët dhe ta lëshoj mjekrën, sikurse ai”, nis bisedën Shqipdon Jahaj.

Vetë “Doni” tha se i pëlqen fakti që po krahasohet me Ibrahimoviqin.

“Në disa aspekte ngjasoj, si nga gjatësia, ashtu edhe nga pamja fizike. Shumë njerëz më ndalin në rrugë për foto dhe më thërrasin Ibra”, tha ndër të tjera Jahaj gjatë intervistës së realizuar në qytetin e Istogut.

Ibrahimoviqi vjen pas pak ditëve në Kosovë, “Doni” është më afër se kurrë ta realizojë ëndrrën e madhe

Përfaqësuesja e Kosovës më 28 mars e sfidon në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Suedinë e Ibrahimoviqit, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror.

Jahaj nga fshati Rakosh i Istogut e ka një dëshirë të madhe.

“Dëshira ime e vetme është që të paktën një herë të vetme ta takoj Zlatanin. Nuk më është dhënë mundësia që asnjëherë ta shikoj ndonjë ndeshje të tij live. Nëse do ta takoja, do t’i thosha se është yll i futbollit”, pohoi ai.

Kujtojmë se ndeshja Kosovë – Suedi do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, andaj Shqipdoni nuk do të ketë mundësi të jetë në stadium për ta shikuar nga afër sulmuesin boshnjak me nënshtetësi suedeze.

Gjithsesi, ëndrra nuk është shuar.

“Më vjen shumë keq që nuk do të jem në stadium, por ëndërroj të gjendet ndonjë mundësi që ta takoj”, përfundoi Shqipdon Jahaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme