Panairi i Librit vazhdon. Çmimet e Panairit XVIII të Librit u ndanë dje. Gjinitë e përzgjedhura për t’u shqyrtuar nga anëtarët e jurisë ishin prozë, poezi, ese, përkthim dhe letërsi për fëmijë. Anëtarët e jurisë përbëheshin nga Diana Kastrati (kryetare e jurisë), Lili Sula (profesoreshë në Fakultetin e Filologjisë, departamenti i Gjuhë-Letërsisë), Gëzim Qëndro (studiues arti), Behar Gjoka (studiues i letërsisë) dhe Alfred Lela (gazetar).
Janë shqyrtuar dhe analizuar 34 libra që i përkasin prodhimit letrar me autor shqiptarë në prozë, 7 poezi, 11 eseistikë dhe 38 përkthime e shqipërime. Në gjysmëfinale u kualifikuan 52 tituj dhe në finale 28 tituj librash. Kryetarja e jurisë Diana Kastrati u shpreh: “Nga 90 vepra, në gjysmë finale pati një listë me 52 titujsh, ndërsa në finale ishin 8 tituj librash, nga të cilët pesë autorë shqiptarë si: Ilirian Zhupa, Ben Blushi, Parid Teferiçi, Viola Isufaj dhe Shkëlqim Zalli. Për përkthim ishin Afrim Koçi, Mira Meksi dhe Edit Dibra”.
Përkthyesja e Vitit, Mira Meksi
Me çmimin për përkthimin më të mirë vlerësohet Mira Meksi, për përkthimin e romanit “Identiteti” nga Milan Kundera me motivacionin: “Për një shqipërim të pasur, me rrjedhësi leksikore, për një gjuhë intelektuale që ndjek elegancën e Kunderës, thellësinë, natyrshmërinë e tij dhe stilin delikat”. Mira Meksi nuk ishte lajmëruar për çmimin, edhe nga jashtë shtetit, nga Budapesti kishte dërguar me shkrim falënderues.
“Falënderoj jurinë për vlerësimin që i kanë bërë shqipërimit të ‘Identitetit’ të Kunderës, mbi të gjitha edhe faktin që kjo vepër zë vendin e merituar në sistemin e vlerave të letrave të spikatura botërore të sjella në gjuhën shqipe, që me shumë mund konkuldojnë në këto 25 vjet lirie të rigjetur në shqipëruesit dhe botuesit shqiptarë. Ky çmim do të sjellë edhe një herë në vëmendjen e lexuesit shqiptar romanin mbresëlënës në një kohë shumë turbulluese, të shkrimtarit të madh të gjuhës frënge, Milan Kundera. Njëkohësisht hap një dritare të madhe mbi njohjen e njeriut nëpërmjet eksplorimit më të gjerë dhe më të thellë që është bërë ndonjëherë letralish unit dhe identitetit njerëzor”, shprehet Mira Meksi.
Autori i Vitit, Parid Teferiçi
Çmimi për autorin më të mirë të vitit: Parid Teferiçi për librin me poezi “Largësi ideale” me motivacionin: “Për prurje të qenësishme të një ligjërimi modern, me një strukturë dinamike e poetike, me pikëprerje origjinale edhe në artet e tjera”. “Falënderoj jurinë, unë nuk e prisja një çmim të tillë, por shpresoj që ta kem merituar dhe ta justifikoj edhe në të ardhmen”, u shpreh Teferiçi.
Parid Teferiçi (1972) ka lindur në Kavajë. Ka studiuar matematikë në Tiranë dhe ekonomi bankare në Milano. Ka punuar pranë Institutit të Kulturës “Giorgio Cini” në Ferrara, ku kujdesej për artet vizive. Punimet e tij i ka ekspozuar në Romë, në Ferrara. Për pikturën e tij, ndër të tjera kanë shkruar: F. Patruno, G. Cerioli, M. L. Brunelli, M. Zavagli, M.Cunico. Gjithashtu ka përkthyer vepra nga Thomas, Aleixandre, Cernuda etj. Libra të botuar prej tij janë: “Molla e detyrueshme”, 1993, “Bërë me largësì”, 1996, “Meqenëse sytë”, 2003 etj.
Çmimi për letërsinë për fëmijë, Shkëlzen Zalli
Studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka, para se të lexonte motivacionin u shpreh se letërsia për fëmijë është pjesë e udhëtimit të letërsisë, më shumë sesa thjesht vlerë estetike, sepse ka të bëjë me krijimin e vetëdijes së shqiptarëve, prandaj duhet ta ushqesh që në fillesë. Juria ka përzgjodhur librin e Shkëlzen Zallit për ta vlerësuar me çmimin e letërsisë për fëmijë. Ai vlerësohet me këtë çmimin për librin “Kurora me banane”.
Me motivacionin: “Për fabulat e gjetura dhe interesante, ku shkrihet loja e thjeshtë me mendimin, për vargjet melodike dhe ritmike si edhe për fjalën e bukur që nxit përfytyrime të drejta tek lexuesi kudo në botë”. Ky çmim vjen për Zallin pas çmimit për librin më të mirë për fëmijë “Zogj të bardhë” të cilin e mori në Panairin e Prishtinës (2013).
Çmimi Fan S.Noli, Shpëtim Çuçka
Çmimi “Fan.S.Noli” ndahet me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të Nolit. Me të u vlerësua përkthyesi Shpëtim Çuçka. Me motivacionin: “Për një punë dhjetëravjeçare, plot pasion e seriozitet të rrallë profesional, për talentin e veçantë për prurjen në një shqipe të pasur të shumë autorëve dhe veprave nga gjuhë klasike e moderne”.
Çuçka u shpreh se kur ne flasim për Fan Nolin janë dy gjëra që e bëjnë atë simbolin e përkthimit shqiptar. “E para, parimi i parë në përkthimet e Nolit është se përkthimi është shqipërimi. Prandaj unë do të thoja se të gjitha përkthimet do të ballafaqohen me idetë. Parimi i dytë i Fan Nolit është përkthimi i shkurtuar. Është një përkufizim shumë i gjerë, për atë çka përzgjedhim ne nga letërsia botërore”.
Petrit Ymeri: Jemi të kënaqur me ecurinë e leximeve
Lexuesit që ende nuk kanë pasur mundësinë që të përzgjedhin titujt e preferuar kanë mundësi për t’i blerë ata edhe gjatë ditës së sotme. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri e cilëson këtë ceremoni çmimesh si kurorëzim dhe vlerësim të punës së bërë nga juria.
“Patëm kënaqësinë që një grup profesionistësh të shqyrtojë për ditë, javë dhe muaj me radhë këtë veprimtari të pasur të fushave të ndryshme. Padyshim ky aktivitet ka marrë vlerësimet më të mira nga lexuesi, që është edhe mbreti, i cili nëse e vlerëson këtë aktivitet, do të thotë se ai është i mirë, por edhe si operatorë të librit jemi të kënaqur me ecurinë e deritanishme të panairit”. Gjithashtu Ymeri ndali edhe tek tragjedia, që e ndodhur në qytetin e kulturës, Paris. “Ishte një akt shumë i dhembshëm terrorist, që na ka tronditur të gjithë neve, pjesëmarrësit në Panairin e 18-të Librit në Tiranë, botues, autorë e përkthyes”.
Romana Vllahutin: Nuk është e lehtë t’i bësh fëmijët që të lexojnë
E pranishme në ceremoninë e çmimeve ishte dhe ambasadorja e Bashkimit Europianë në Tiranë, Romana Vllahutin, e cila u shpreh fillimisht i shprehu ngushëllimet e saj popullit francez, edhe më pas ndali te lidhja e saj me librin. “Si fillim dua të shpreh ngushëllimet tona për popullin francez e Republikën e Francës për atë ngjarje të tmerrshme e tragjike që ndodhi mbrëmë në Francë. Diskutuam sot (dje) nëse duhej të merrnim pjesë apo jo në aktivitete publike, kjo për të respektuar viktimat e asaj ngjarjeje dhe unë vendosa mos ta pezulloja pjesëmarrjen time në këtë takim, për të dhënë një mesazh të rëndësishëm: Librat janë një pjesë thelbësore e asaj që na bën neve të qytetëruar dhe duke lexuar libra ne festojmë lirinë. Mendoj se është një mesazh shumë i rëndësishëm që i duhet përçuar edhe fëmijëve në këtë kohë kur në fakt nuk është e lehtë t’i bësh fëmijët që të lexojnë. Isha shumë e lumtur teksa para se të vija në këtë sallë vizitova panairin e pashë sesa shumë fëmijë dhe familjarë kishin ardhur. Kjo nuk është një gjë që shihet lehtë në botë. Jam e kënaqur gjithashtu pasi shoh se ka një numër të madh botuesish. Nuk është e lehtë të jesh botues sot, ndaj i përgëzoj për punën e tyre”. Teksa tregon se ka studiuar letërsi krahasuese dhe se librat zënë një pjesë të madhe të jetës së saj.
“Spiuni i Ballkanit” në TK
Shfaqja “Spiuni i Ballkanit” me regji të Spiro Dunit vazhdon sonte ora 19.00 në Teatrin Kombëtar. Premiera e autorit serb Kovaçeviç vjen para publikut si një bashkëpunim me Teatrin Kombëtar. Tema që trajton këtë herë pjesa teatrore “Spiuni i Ballkanit” është frika, një individ i frustruar nga e kaluara e tij.
“Në vepër është individi i frustruar nga e kaluara e tij, i cili kthehet në një paranonjak, ndaj një informacioni të thjeshtë që i është kërkuar. Pra i kërkohet informacion për dikë dhe atij i kthehet në makth gjithçka”, u shpreh regjisori Duni. Kovaçeviçi merret me fatin e personazheve, njerëz të alarmuar që e bartin me vetë të shkuarën e tyre. Në mos të shkuarën, frikën e rikthimit apo hijen që ajo u lëshon ende edhe pse jetojnë në një tjetër kohë.
Personazhet e këtyre veprave të tij, sikurse dhe në këtë vepër konkretisht janë njerëz dyshimtarë, shpeshherë haluçinantë. Njerëz të cilët dukshëm liria nuk i ka çliruar nga persekutimi i dikurshëm. Ka mes tyre nga ata që e kanë nostalgji perverse ende zellin të vazhdojnë si për inerci ndikimin e asaj kohe, siç ka mes tyre dhe nga ata që duke harruar këtë plagë të atyre që i rrethojnë, i kapërcejnë me shkujdesje situatat, që më vonë do të kthehen në bumerang.
Këngët e Festivalit të RTSH-së, fillimisht në radio
Festivali i Këngës në RTSH ka zbuluar tashmë të këngëtarët dhe tre prezantuesit. Por ky edicion do vijë edhe me një tjetër risi. Fillimisht këngët do të transmetohen në valët e Radio Tiranës. Ndryshe nga vitet e kaluara publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë për herë të parë këngët në garë për gjatë një muaji.
Kështu, organizatorët pretendojnë që t’i japin më shumë jehonë festivalit, duke e parapërgatitur publikun për atë çfarë do mund t’i serviret në netët finale me qëllim vlerësimin më objektiv të këngëve pjesëmarrëse. Duket se kjo risi do të vërë në diskutim mënyrën e vlerësimit të kryer deri tani, dhe padyshim do të sjellë ndikim edhe te votimi i jurisë profesionale, e cila historikisht është kontestuar nga juria popullore.
Premiera e 30 këngëve do të fillojë një muaj para 3 netëve të Fest 54. Festivali i 54 i Këngës në RTSH do të mbahet në datat 25, 26 dhe 27 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Prezantuesit janë Pandi Laço, Blerta Tafani dhe Gresa Pallaska./shekullionline/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...