Björn Gercke ende pa filluar mirë paraqitjet e dëshmive për abuzimet seksuale me fëmijë në Kryepeshkopatën e Këlnit, nisi të përdorë fjalë shumë të qarta. Jurisiti foli për “dosjet e helmit”, kur iu referua dosjeve personale të priftërinjve. E këto dosje mund të jenë shumë të rrezikshme jo vetëm për priftërinjtë por edhe për vetë Kishën – sepse ato përmbajnë prova të abuzimit seksual të fëmijëve dhe fshehjen e këtyre krimeve. “Dosjet e helmit”, quhen ato në gjuhën e kishës.
Gercke, të cilin e kanë angazhuar si vlerësues të pavarur, ka punuar me muaj, ka shfletuar me mijëra faqe dhe ka marrë në pyetje të dyshuarit për këto krime, vazhdon: Kardinali Joachim Meisner, Kryepeshkopi i dioqezës më të madhe dhe më të rëndësishme gjermane, prej vitit 1989 deri në vitin 2014, kishte një dosje të tij të posaçme me titull – “Vëllezërit në Mjegull”. Kjo ishte gjuha e kryepriftit për priftërinjtë që kanë kryer të tilla vepra. E këtu bëhet fjalë për abuzim seksual dhe dhunë seksuale ndaj fëmijëve.
Mijëra viktima
Abuzimi seksual ndaj fëmijëve nga burrat e Kishës është një temë me të cilën po përballet Kisha Katolike në Gjermani prej vitit 2010. Në një studim të madh të publikuar në vitin 2018 flitej për të paktën 3.677 fëmijë dhe adoleshentë me të cilët kanë abuzuar 1.670 persona në periudhën prej vitit 1946 deri në vitin 2014. Rastet po shtohen çdo vit, sepse po paraqiten raste të reja dhe dëshmitarë që flasin për krime nga e kaluara, por ka dhe raste të reja. Edhe njerëzit shumë fetarë janë të pasigurt – po, ata po largohen edhe nga Kisha. Kisha është përfshrië në këto skandale ndërkohë në shumë vende të botës – në Irlandë dhe Australi, SHBA dhe Kili. Duket se në mbarë botën ka me dhjetëra mijëra viktima.
Po si duket fshehja e këtyre krimeve dhe mungesa e dëshirës që të pranohen këto gjëra? Tre fjali nga një letër, e cila citohet edhe në studimin prej 900 faqesh. Fjalitë e Kardinalit Joseph Höffner, Kryepeshkopit të Këlnit nga viti 1969 deri në 1987 dhe një nga kishtarët më të shquar gjermanë në historinë e pasluftës. Ai i shkruante në vitin 1984 një kapelani të akuzuar: “Më vjen shumë keq që keni hasur në vështirësi të tilla fare në fillim të shërbesës suaj priftërore. Unë i kam kërkuar stafit tim të hetojë situatën me (…). Askush nuk i merr seriozisht akuzat kundër jush.” Këto fjali të japin një ide se si janë trajtuar të akuzuarit – e si u trajtuan viktimat. Informacionet janë injoruar, ndërsa bisedat dhe denoncimet në Romë nuk ndodhën kurrë.
“Legjendat”
Studimi i ri trajton përgjegjësit për periudhën prej vitit 1976 deri në 2018. Për shkelje të rënda të detyrës akuzohen Kardinali Höffner dhe në radhë të parë pasardhësi i tij, Kardinali Joachim Meisner (1989-2014). Gercke thotë se një e treta e të gjitha shkeljeve të dokumentuara të detyrës, mund t’i atribuohen kardinalit konservator-reaksionar, i cili vdiq në 2017. Ai shpërfilli detyrimet e informimit, raportimit dhe sanksionimit. E ai ka lënë pasdore edhe kujdesin ndaj viktimave. “Emrat si Kardinal Meisner kanë status legjendar për shumë njerëz këtu në Këln”, thotë Gercke.
Në lidhje me pasardhësin e Meisner, Kardinalin Woelki, juristi thotë se “ne nuk kemi mundur të gjejmë ndonjë shkelje të detyrës”. Kjo është befasuese dhe u vë në pikëpyetje në konferencën për shtyp. Woelki është kritikuar me muaj të tërë për shkak se nuk ka ndërmarrë asgjë kundër një prifti më të vjetër, të cilin në dosje e quante vetëm “Pastor O.”. Woelki e njihte personalisht klerikun edhe më parë. Dhe nuk e ka raportuar një rast të sulmit ndaj një djali që kishte ndodhur dekada më parë.
Në sytë e jurisitit, Woelki nuk i ka shkelur detyrat e tij, sepse i akuzuari O. trajtohej në këtë kohë si “i paaftë për të biseduar me te”. Shumë i moshuar dhe i sëmurë për t’i kuptuar gjërat – por në varrimin e O., Kardinali i Këlnit mbajti një meshë me fjalë të mira për te. Gercke dhe bashkëpunëtorja e tij, Kerstin Stirner disa herë gjatë prezantimit njëorësh theksuan se ata kanë vlerësuar gjërat vetëm nga ana juridike dhe jo – nga pikëpamja morale.
E megjithatë ai goditi edhe Kryepeshkopin gjerman. Kryepeshkopi i sotëm i Hamburgut, Stefan Heße, ishte shef i personelit në Kryepeshkopatën e Këlnit nga viti 2006 deri në vitin 2014, kur ishte edhe Vikar i Përgjithshëm, do të thotë, dora e djathtë e Kryepeshkopit Meisner. Në rastin e Heße, raporti flet për njëmbëdhjetë shkelje të qarta të detyrës. Disa prej tyre janë përmendur shpesh edhe gjatë vitit 2020. Akuzat të ngjashme ngriten edhe kundër ish-vikarit të përgjithshëm Norbert Feldhoff (81) dhe zyrtarit tjetër që edhe sot është aktiv – si gjykatësi më i lartë i dioqezës së Kishës së Këlnit – Günter Assenmacher (69).
Vendimi shkatërrues
Ajo që juristi e quante si deficit dhe dobësi e sistemit, ka një efekt shkatërrues. Në raport flitet për regjistrime konfuze, të këqija dhe të paqarta e deri tek “injoranca ligjore” e përgjegjësve, mungesa e kujdesit ndaj viktimave, si dhe mangësitë në shpjegimin ligjor dhe faktik. Një detaj duket si satirë, por duket normal për ata që e ndjekin këtë ngjarje: asnjë shkelje e qartë e detyrës nuk është kryer nga personat laikë. Por ndaj laikëve Kisha ka vepruar “rregullisht dhe shpejt”. Pra ka denuar ÇDO sjellje e keqe. Ndërsa ndaj klerikëve shpirtërorë jo.
Në një moment doli në skenë edhe Kardinali Woelki, i cili prezantimin e raportit e ndoqi nga rreshti i parë i sallës. Ai tha se këtë raport nuk e ka parë kurrë më parë. Pasuan fotografimet me rastin e dorëzimit të dokumentit. Ai tha se “këtë ditë e ka pritur me shumë dëshirë për një kohë të gjatë” dhe se nga kjo ditë “ka pasur frikë si kurrë më parë”.
“Lirimi nga detyrat e tyre”
Më pas Woelki foli për ate që dëgjoi më parë. “Kjo është një fshehje … Zyrtarët më të lartë nuk i raportuan këto veprime në Romë dhe në këtë mënyrë i kanë penguar dhe parandaluar hetimet. Duket se ata kanë penguar hetimet dhe procedurat penale”. Një sjellje e tillë e keqe duhet të ketë pasoja edhe për klerikët, tha ai me qetësi. “E veprat peshojnë më shumë se fjalët”. Më pas ai tha se ai i “liron përkohësisht menjëherë nga detyrat e tyre Peshkopin Schwaderlapp dhe zyrtarin Assenmacher”. Në fjalinë tjetër ai e bën të qartë se ai nuk është përgjegjës për Heße, por me dëshirë do të merrte një vendim. Papa duhet të kujdeset për këtë. Woelki tha se që sot do ta dërgojë këtë studim në Romë. Schwaderlapp, mbase peshkopi më konservator në peshkopatën gjermane, menjëherë i ofroi Papës dorëheqjen e tij.
Kardinali foli për pesë minuta të mira. Pastaj tha se do të fillojë bisedat me dyer të mbyllura me përfaqësuesit e Këshillit e personave të prekur nga këto krime. Ai tha se deri të martën e ardhshme më nuk do të komentojë gjërat. Pastaj Woelki dëshiron të paraqitet përsëri para shtypit dhe të informojë për pasojat e mëtejshme.
Të prekura të gjitha dioqezat?
Në qarqet e Kishës së Këlnit janë shumë të lumtur që raporti është publikuar. Por njëkohësisht janë të interesuar për të parë se çfarë tjetër do të ndryshojë. Por ky tension vlen për të gjitha 27 dioqezat katolike në Gjermani. “Nuk jam i sigurt nëse do të gjeni një dioqezë në Gjermani ku nuk do të gjeni shkelje të detyrës,” tha Gercke. Kryepeshkopata e Këlnit është tani dioqeza e parë me një pamje kaq kritike të dosjeve.
Assenmacher, tani i liruar nga zyra e tij në Këln, ka qenë prej kohësh aktiv në të njëjtën pozitë në dioqezën e Limburgut. Kjo është selia e Peshkopatës së Georg Bätzing, kryetari i Konferencës së Peshkopëve Gjermanë. Ndërsa Stefan Heße ka qenë kryepeshkop i Hamburgut që nga viti 2015. Disa dioqeza kanë trajtuar me kujdes rastet e abuzimit, por çështja e ngatërrimit, mbulimit nga eprorët dhe udhëheqësit e dioqezave është ende në pritje. Një prej përshtypjeve kryesore është se ndërkohë dihen shumë gjëra – por gjithnjë po hapen edhe më shumë pyetje.
Kritikat
Mesdita, konferenca për shtyp ka mbaruar kaherë. Para Katedrales së Këlnit, siç ka ndodhur për ditë të tëra, demonstrojnë organizatat e personave të prekur. Për një kohë të gjatë ata kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur shtetëror në vend të një “hetimi të pavarur” në emër të kryepeshkopit. Tani ata janë të irrituar dhe të zhgënjyer me “shfajësimin” e Woelki. Kjo Kishë nuk ka moral, thuhet. Lëvizja reformuese Maria 2.0 ka njoftuar se të premten do të mbajë një tubim solidariteti me viktimat e abuzimit./DW/
“Është një version më i mirë i Haalandit”, Van Der Vaart zbu...
Nagavci: Kemi buxhetuar pagat për punësimin e 500 asistentëv...
G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të trupave koreanov...
Balluku: Nga 1 janari do të ulet çmimi i energjisë elektrike
Xhaka para duelit me Liverpool-in: E di se si është të luash...
Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit në 4-vjetorin e arre...