Google ADS

Syla (OBSH): Nuk kemi të dhëna se ndonjë nga vaksinat anti-COVID ka shkaktuar vdekjen tek të vaksinuarit

19:03 | 18 Mars 2021
L G

Shefi i Misionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari Skënder Syla, ka thënë se sigurimi i vaksinës anti-COVID ka qenë sfidë për të gjitha vendet.

Syla në Info Magazine në Klan Kosova tha se beson që dozat e para të vaksinës COVAX, do të vijnë në Kosovë gjatë javës së ardhshme.

Ai tha se vaksinimi është vetëm një nga dimensionet e përballimit të pandemisë.

Shefi i Misionit të OBSH-së në Bullgari shtoi se duhet të respektohet të gjitha masat anti-COVID.

“Sigurimi i vaksinës ka qenë sfidë pothuajse për të gjitha vendet. Dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë që nga fillimi i pandemisë ka rekomanduar që duhet të ketë një solidaritet me një shpërndarje të barabartë qoftë në vendet e pasura dhe qoftë në vendet e varfra”.

“Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur sepse vendet e pasura ka bërë kontraktimin me kompanitë farmaceutike qysh herët para se të jetë në dispozicion vaksina. Dhe vendet me të ardhura mesatare dhe vendet e varfra kanë ngelur prapa. Kuptohet që Kosova është në negociata me mekanizmin e COVAX-it. Dhe besoj që në javën e ardhshme do të vije dërgesa e parë e COVAX-it, dhe do të fillojë vaksinimi”.

“Mirëpo vaksinimi është vetëm një dimension i përballimit të pandemisë. Vaksina vetvetiu nuk do ta zgjidhin çdo gjë. Sepse edhe ato vende që kanë pasur përqindje të lartë të vaksinimit ende kemi numër të rasteve. Do të thotë se virusi do të vazhdojë të jetë i pranishëm. Organizata Botërore e Shëndetësisë fton që të vazhdohet zbatimi i masave anti-COVID”.

I pari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari foli edhe rreth ndalimit të vaksinës Astra Zeneca.

Ai, theksoi se nuk ka të dhëna se ndonjë nga vaksinat anti-COVID ka shkaktuar vdekjen tek personat që i kanë marrë ato.

“Deri më tani nga të gjitha vaksina që janë në dispozicion, përfshirë edhe vaksinën Astra Zeneca, janë administruar diku 380 milionë doza anekënd botës. Nuk ka të dhëna se çfarëdo vaksina ka shkaktuar bie fjala vdekje. Përderisa 122 milionë të infektuar në botë, rreth 2.7 milionë të infektuar e kanë humbur betejën më COVID-19”.

“Nëse përkthehen 388 milionë doza, ne i kemi shpëtuar shtatë apo tetë milionë jetëra të njerëzve. Andaj vaksinat janë arma më e mirë për të i jap fund kësaj pandemie e cila ka shkaktuar aq vuajtje tek njerëzimi”.

Të ngjashme