Google ADS

Kushtet për presidentin, zgjedhjet e reja në dorë të Lumir Abdixhikut

08:08 | 18 Mars 2021
A. B.

Ditë më parë, fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë zhvilluar takime me partitë tashmë opozitare për konstituimin e institucioneve sa më parë për vendin.

Krahas kësaj, ata kanë shtruar për diskutim edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, por duket se nuk do ta kenë të lehtë përbërjen e kuorumit.

Dështimi, mund të sjellë zgjedhje të reja nacionale.

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka në një prononcim për Arbresh.info thotë se politikanët shqiptar për inate dhe interesa personale nuk e vënë në rend të parë interesin shtetëror.

“Unë u kamë bë thirrje partive politike sidomos LDK-së edhe PDK-së, e po ashtu edhe AAK-së, të votojnë qeverinë e Albin Kurtit  edhe ta votojnë  Vjosa Osmanin për presidente”, përfundoi Zeka.

E në anën tjetër analistët politikë nuk po e shohin gatishmërinë nga ana e partive politike që këtë vend ta dërgojnë në zgjedhje prapë.

Analisti Blerim Latifi vlerëson se nuk ekziston disponimi dhe gatishmëria e partive politike që sërish ta dërgojnë vendin në zgjedhje.

“As fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit e as partitë që i humbën ato nuk janë duke menduar rreth këtij opsioni. Situata konkrete me të cilën kemi të bëjmë tash është kjo: Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat e nevojshëm për ta bërë qeverinë, por jo edhe për ta zgjedhur presidentin e ri të shtetit. Në këtë rrethanë, ajo e ka të domosdoshme bashkëpunimin me opozitën, e cila, sigurisht, nuk do të pajtohet me këtë bashkëpunim pa disa kushte të saj. Dje i pamë se cilat janë kushtet e PDK-së. Edhe AAK ka lënë të kuptohet se nuk hyn në procesin e zgjedhjes së presidentit pa kushte, edhe pse tani ajo ka hequr dorë nga kërkesa e saj kryesore që kandidati për president të jetë zoti Haradinaj”, shprehet Latifi.

Sipas tij, “loja” është e zhvendosur në terrenin politik të LDK-së, e cila ende nuk e ka të qartë se si do të veprojë me kandidaturën e Osmanit për president.

“Pra LDK ndodhet në një dilemë serioze politike dhe morale, e cila pritet që të marrë rrugëzgjidhje deri në përfundim të kësaj jave. Se a do të shkojmë në zgjedhje apo jo do të varet krejtësisht nga zgjedhja që do të bëjë kryetari i sapo zgjedhur i LDK-së”, deklaron Latifi për arbresh.info.

Analisti  Fatmir Sheholli vlerëson se çështja e zgjedhjes së presidentit kërkon nga fituesi i zgjedhjeve negocim të sinqertë me partitë opozitare.

“Nëse ka arrogancë nga fituesi në negocim, atëherë jemi ne prag te zgjedhjeve të reja. Por, unë besoj që do të gjendet formula dhe do të zgjedhim presidentin e Kosovës”, shprehet Sheholli.

Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë, sipas procedurës së paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual./Ida Dedushi/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme