Presidenti Joe Biden thotë se ai është i habitur nga kundërshtimi i vazhdueshëm i disa amerikanëve për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, veçanërisht mes republikanëve që kundërshtuan zgjedhjen e tij si president.
“Sinqerisht mendova se, pasi të kishim vaksina të mjaftueshme për të gjithë, gjendja do të fillonte të qetësohej,”tha presidenti Biden për kanalin ABC News të martën. “Dhe në fakt është qetësuar mjaft”.
Megjithatë, i tha Presidenti Biden gazetarit të ABCNews George Stephanopulos, “Unë nuk arrij ta kuptoj këtë lloj maskuliniteti në shprehjet ‘nuk do ta bëj vaksinën. Kam të drejtën si amerikan, kam lirinë time për të mos e bërë vaksinën’.
“Atëherë përse nuk tregohesh patriot? Të mbrosh njerëzit e tjerë ”, tha presidenti Biden.
Joe Biden, i cili u vaksinua para inaugurimit të tij dy muaj më parë, tha se u tregoi amerikanëve me shembullin e vet se vaksina është e sigurt dhe ishte gjithashtu personalisht lehtësuese “sepse tani mund t’i përqafoj nipërit e mi”, tha presidenti.
“Ata vijnë më vizitojnë, mund t’i shoh dhe jam në gjendje të rri me ta”, tha presidenti.
Rreth 13% e amerikanëve të rritur, më shumë se 35 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht. Ish Presidenti Donald Trump dhe gruaja e tij Melania u vaksinuan të dy para se ai të largohej nga detyra.
Të martën, zoti Trump i tha kanalit Fox News, “Unë e rekomandoj vaksinën, dhe do t’ua rekomandoja atë shumë njerëzve që nuk duan ta marrin, dhe shumë prej tyre votuan për mua, sinqerisht”.
Megjithatë, shtoi ai, “Ne kemi liritë tona që duhen respektuar dhe jam dakord edhe me këtë qasje.”
Anthony Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i presidentit Biden dhe eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend, tha për emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC të dielën e kaluar se hezitimi i çdokujt për t’u vaksinuar ishte “shqetësues” dhe “absolutisht i pakuptimtë”.
Tre sondazhe të fundit kombëtare tregojnë se republikanët që votuan për zotin Trump kishin më shumë rezerva për t’u vaksinuar sesa demokratët që mbështetën zotin Biden.
Një sondazh i fundit i agjencive NPR / PBS / Marist tregon se 47% e votuesve të ish-presidentit Trump dhe 41% e republikanëve thonë se nuk do ta bëjnë marrin vaksinën.
Një sondazh i rrjetit CBS News ditët e fundit tregoi se 33% e republikanëve nuk do të vaksinohen kur vaksina të jetë e disponueshme për ta, ndërsa vetëm 10% e demokratëve ndajnë të njëjtin mendim. Një sondazh i universitetit Monmouth zbuloi se 59% e republikanëve ishin ose në mëdyshje për t’u vaksinuar ose thanë se nuk do të vaksinoheshin kurrë. Vetëm 23% e demokratëve ndanin të të njëjtin mendim.
Dr. Fauci e quajti befasuese ndarjen politike për vaksinimet.
“Nuk ka absolutisht asnjë kuptim,” tha ai. “Duhet të ndajmë bindjet politike nga gjërat e arsyeshme, të llogjikshme, të shëndetit publik”./VoA/
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...