Shkencëtarët: Mund të ketë sasi të mëdha uji në Mars

23:45 | 17 Mars 2021
Trina Galanxhi

Prej kohësh është shtruar pyetja pa përgjigjje se si Marsi humbi ujin që dikur rrodhi në sipërfaqen e tij para miliarda vitesh.

Shkencëtarët mendojnë se ata tani kanë përgjigjen – shumica e ujit ka mbetur e bllokuar në shtresat më të larta të planetit, në koren e tij. Ai ujë i dikurshëm ende ekziston në formën e mineraleve në shkëmbinjtë e Marsit, shkruan BBC, transneton portal arbresh.info

Këto zbulime u diskutuan në Konferencën e 52-të mbi shkëncën planetare. Studimi përdori matjet e bëra nga anijet kozmike në orbitën e Marsit dhe automjetet sipërfaqësore, si dhe të dhënat e marra nga studimi i meteoritëve. Studiuesit më pas zhvilluan një simulim kompjuterik të zhdukjes së ujit nga planeti.

Më shumë se katër miliardë vjet më parë, Marsi ishte më i ngrohtë dhe më i lagësht, dhe mund të ketë pasur një atmosferë më të dendur.

Uji rrodhi në lumenj, duke krijuar kanale në shkëmbinj dhe u mblodh në kratere. Marsi ndoshta kishte mjaft ujë për të mbuluar të gjithë sipërfaqen me një shtresë të trashë 100 deri në 1.000 metra. Rreth një miliard vjet më vonë, Marsi kaloi një tranzicion dhe u bë planeti i ftohtë dhe i shkretë që njohim sot.

“Ne e kemi ditur për një kohë të gjatë që Marsi ishte shumë më i lagësht në historinë e tij të hershme, por problemi i vazhdueshëm ishte fati i këtij uji”, tha Peter Grindrod, bashkëautor i studimit.

Toka ka një mburojë magnetike ose magnetosferë që ndihmon që atmosfera të mos shpërndahet në hapësirë. Por mburoja magnetike e Marsit është e dobët dhe nuk mund të parandalojë që përbërësit thelbësorë të ujit të shpëtojnë nga planeti. Megjithatë, shpejtësia me të cilën hidrogjeni, një nga përbërësit kimikë të ujit, po del nga atmosfera sot tregon se kjo mund të mos jetë e gjithë historia.

Rezultatet e punës shkencore tregojnë se midis 30 dhe 99 përqind të sasisë fillestare të ujit në Mars përfundoi në minerale në koren e planetit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme