NBA: Nuk ndalen Lakers e Miami, fitojnë edhe Utah e Blazzers

14:16 | 17 Mars 2021
A. B.

Moment i mirë për kampionët në fuqi të NBA. Pavarsisht mungesave me peshë si Anthony Davis apo spanjolli Marc Gasol, Los Angeles Lakers regjistroi fitoren e tretë rresht në NBA pasi mposhti me rezultatin e thellë 137-121 Minnesota Timberwolves.

Pjesa e parë ishte thuajse e baraspeshuar ndërkohë që diferencën kalifronianët e bënë në fraksionin e dytë, për meritë edhe të mbretit James.

LeBron e mbylli sfidën me një triple-double duke koleksionuar në total 25 pikë 12 rikuperime poshtë tabelës dhe 12 asiste. Një paraqitje të shkëlqyer për Lakers bëri edhe Harrel autor i 25 pikëve ndërkohë që Minnesotas nuk i mjaftuan 29 pikët e Karl Anthony-Towns dhe 29 të tjera nga Edwards. Aktualisht Lakers pozicionohen të 3-ët në Perëndim me 27 fitore dhe 13 humbje.

Nuk di të ndalet më Miami Heat që mori fitoren e 11-të në 12 ndeshjet e fundit pasi mposhti pa probleme Cleveland Cavaliers me rezultatin 113-98. Falë edhe 28 pikëve të realizuara nga Jimmy Butler, Heat-s u ngjitën në vendin e 4 në konferencën e Lindjes. Arriti suksesin e 29-të sezonal në 39 takime Utah Jazz që triumfoi me rezultatin 117-109 Boston Celtics.

Në TD Garden, Jason Tatum dhe Jaylen Brown realizuan të dy sëbashku 57 pikë, por as këto nuk mjaftuan për të evituar humbjen e Celtics pasi diferencën e bëri loja në grup e Utah, me plot 6 basketbollistë të skuadrës nga Salt Lake City që arritën një kuotë pikësh me dy shifra. Me një Damian Lillard në formë të shkëlqyer u rikthye te fitorja edhe Portland Trail Blazzers që mposhti me rezultatin e ngushtë 125-124 New Orleans Pelicans. Ishte thjeshtë fantastik Lillard në këtë duel pasi koleksionoi në total 50 pikë 6 rebound dhe 10 asiste duke udhëhequr Blazzers drejt suksesit të 23-të sezonal.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme