Në shkollat e Prishtinës janë mbi 200 raste aktive me Covid-19

20:49 | 16 Mars 2021
Arditë Shkodra

Situatë shqetësuese sa i përket Covid-19 po duket në Prishtinë. Në kryeqytet sipas Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë paraqiten çdo ditë 20 deri në 25 raste të reja me COVID-19.

Kështu po deklaron Shpresa Shala, drejtoreshë e DKA-së në kryeqytet.

“Është e vërtetë që ditëve të fundit kemi pasur kemi pasur ngritje të rasteve. Domethënë brenda një dite ndodh të i kemi 20 deri në 25 raste të reja që i marrin rezultatet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”.

Ajo theksoi se aktualisht dy shkolla po vijojnë mësimin në formën online.

“Për momentin kemi dy shkolla me skenarin C të mësimit. Bëhet fjalë për shkollën “Meto Bajraktari”, të cilët nga klasa e parë e deri tek klasa e nëntë, janë komplet me skenar C të mësimit online, kurse shkolla “Iliria” është nga klasa e parë e deri tek klasa e pestë”.

E para e arsimit në kryeqytet tha se numri i rasteve të konfirmuara deri më tani në Prishtinë është 200.

“Kjo nuk i përjashton as shkollat e tjera, sepse ka klasa që kanë kaluar në skenarin C të mësimit. Nëse një nxënës del pozitiv atëherë komplet ai grup i klasës shkon në mësim online. Është vështirësuar puna dhe vijueshmëria e rregullt”.

“Deri sot është rreth 200 raste. Këtu përfshihen nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave që i kemi të raportuar nga IKSHPK. Por, ka edhe plot raste që nuk raportohen. Nxënësit mungojnë në shkollë por nuk testohen”.

Shpresa Shala deklaroi se mësimi online për kah aspekti i humbjes së mësimit do të jetë dëm i madh, pasi që sipas saj nuk është njëjtë sikur mësimi që mbahet në shkolla.

“Përderisa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i ka shënimet për të gjithë Kosovën ashtu edhe për Prishtinën, ne jemi joprofesionistë që të kundërshtojmë rekomandimet e tyre. Por, për nga aspekti i humbjes së mësimit do të jetë një dëm i madh. Sepse nuk është njëjtë sikur mësimi online, sikur mësimi që mbahet në shkollë. Por, njëherë ne prioritet e kemi shëndetin e nxënësve dhe të punësuarve në arsim”.

Të ngjashme