Rasti “Syri i popullit”, i akuzuari Llumnica: I kam humbur letrat e Zvicrës

17:34 | 16 Mars 2021
L G

I kam humbur letrat e Zvicrës pas qëndrimit për 4 vite në burg. Dëshiroj të ju bëj me dije se unë nuk do të shkoj rrugës së komandant Çelikut, Fatmir Limës i cili çdo të dytën fjalë e kishte fjalën drejtësi drejtësi.

Po të kishte drejtësi unë as që do të duhet të isha i akuzum e le mo të kaloj mbi 4 vite burg”, ishin fjalët me të cilat Avni Llumnica, i akuzuar në rastin “Syri i Popullit”, i është drejtuar gjykatës këtë të martë.

Pasi Gjykata e Apelit e Kosovës e ktheu në pikën zero rastin “Syri i Popullit”, me kërkesën që Prokuroria Speciale ta rregullojë aktin akuzues, kjo e fundit ka ardhur me një aktakuzë të re, të përmirësuar.

Sipas aktakuzës së re, të akuzuar janë vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha.

Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me M. J. tani i ndjerë. Ndërsa Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.

Më pas, i akuzuari Llumnica ka kërkuar nga gjykata që të informohet se pse lënda ndaj tij nuk ishte caktuar fare gjashtë muaj pas kthimit të rastit në rigjykim, ose në të kundërtën ai nuk do të paraqitej vullnetarisht në gjykatore.

“Kërkoj me shkrim nga ju që të informohem për çfarë arsye kur u kthy landa ne rigjykim 6 muaj ka pas heshtje, nuk ka pas asnjë lloj informacioni, pse ka mungu. Pastaj nëse s’gaboj me datën 10 apo 11 nëntor kemi pas seancën e pare te radhës besoj qe arsyen e dini pse është shty dhe unë sot e asaj dite nuk i kam procesverbalet e seancave të kalume, prapë kërkoj me shkrim nga ju edhe një herë edhe një herë po e përsëris me shkrim arsyen pse nga 26 nëntori nuk ka seanca deri më sot, përndryshe unë ma nuk vi në seanca ju vazhdoni si të doni veç nëse mbini lidh, me dhunë”, shtoi i akuzuari Llumnica.

Lidhur me këto pretendime ka reaguar gjykatësi i rastit Musa Konxheli, i cili tha se çështja e pajisjes me procesverbale dhe caktimit të seancave gjyqësore ishte e natyrës procedurale, e aspak personale.

“Rreth procesverbaleve t’i ki drejtë me i pas si secila palë, t’i përcjellim nëse nuk i ke, besoj që avokatët e tu i kanë pas, po besoj që edhe avokati yt me autorizim Naim Rudari, nuk po e di a i ka, me siguri i’a kanë përcjellë, po nuk është problem, t’i përcjellim procesverbalet. Për çështje të tjera janë çështje procedurale, formale juridike që i parasheh kodi, nuk ka asnjë arsye tjetër, nuk ka pasur askush qëllim tjetër. Lidhur me humbjen e letrave është e vërtetë se mbrojtësi i juaj e ka bërë një kërkesë për ndërprerjen e paraburgimit, ka ofruar edhe dorëzani në emër tuaj, mirëpo trupi ka marrë vendim për refuzimin e kësaj kërkese. Nuk ka asgjë personale me juve, nuk na ka ardhur mirë që ju me i humb letrat, mirëpo meqë e keni edhe vendbanimin edhe atje, kjo ka qenë e domosdoshme për ta siguruar prezencën tuaj për një proces të rregullt”, tha gjykatësi Konxheli.

Po ashtu, i akuzuari Llumnica ka kërkuar nga gjykata shtyrjen e kësaj seance, në mungesë të avokatit të autorizuar nga ai, Naim Rudari.

“Deri sa nuk është avokati im prezent, unë i kam humb letrat në Zvicër aspak nuk më ngutet, e radhës është që unë nuk pranoj me tjetër avokat, deri sa të vjen avokati im Naim Rudari”, deklaroi Llumnica.

Për mungesën e avokatit Rudari u deklarua avokati Fitim Limani, që kishte autorizim zëvendësues për të, i cili njoftoi gjykatën se Rudari kishte probleme shëndetësore.

Në rrethana të tilla, gjykatësi Konxheli ka aprovuar propozimin e të akuzuarit Llumnica, me arsyetimin e mos prezencës në këtë seancë të avokatit Rudari, i cili sipas tij, e kishte përcjellë këtë rast nga fillimi dhe ishte i njohur me çështjen.

Në fund, i akuzuari Llumnica i ka propozuar gjykatës që çdo tre muaj ta caktoj të paktën nga një seancë lidhur me këtë rast.

“Ju lutem, aspak mos u ngutni, edhe niher po ju them shqip, unë letrat e Zvicrës i kam hup, pash nerën çdo 3 muaj ditë mane ka ni seancë, vetëm një orë mane. E kam meritu unë prej kombit tem, e kom meritu prej një trupi gjykues, e meritoj prej prokurorëve, tash ku është problemi unë nuk muj me ja u thon”, tha në fund i akuzuari Llumnica.

Seancat e radhës u caktuan për datat 12 dhe 19 prill, nga ora 09:30.

Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo ai pas pranimit të fajit për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.

Ndryshe ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018.

Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.

Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M. J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë J. në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë tani të ndjerin M. J., e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri, tani i ndjer M. J. kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohej se kishte kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohej për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit M. J., Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri, tani i ndjer, M. J. thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohej edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, i ndjeri M. J. nga PSRK-ja, ngarkohej me veprat penale “hakmarrja” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria e akuzonte J. që duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se J., fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën të ndjerit J. dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, J. kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës, por J. iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te i ndjeri J ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.

Sipas kësaj aktakuze Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.

Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË”, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.

Të ndjerit M. J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se “çështja penale kthehet në rivendosje për tu proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”.

Ky aktvendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të re dhe me shumë ndryshime.

Sipas aktakuzës së datës 27 tetor 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë të vetmit të akuzuar në këtë rast.

Kjo pasi që PSRK heqë dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe J. të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes.

Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M. J., sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti vuante nga sëmundje mendore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila ka ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik. /BetimipërDrejtësi/

Të ngjashme