Si kishte arritur Tyson Fury të joshë Anthony Joshuan që të futet në sparing me të – ora Rolex ishte shpërblimi

16:00 | 16 Mars 2021
A. B.

Anthony Joshua në të kaluarën ishte joshur nga Tyson Fury që të zhvillojë një sparing me të vetëm për një orë Rolex në vitin 2010.

Dyshja sapo kanë rënë dakord për një marrëveshje fitimprurëse me dy dyluftime për një nga përballjet më të mëdha në historinë e boksit të peshave të rënda.

Një përballje e tërë britanike midis të dyve ka qenë e pashmangshme për mjaft kohë tani dhe megjithëse ende nuk është zbuluar ndonjë datë apo vend i saktë, kontratat janë nënshkruar sipas shefit të Matchroom, Eddie Hearn.

Por, nuk është një përvojë krejtësisht e re as për Joshuan dhe as për Furyn pasi ata janë përballur edhe në të kaluarën.

Joshua ishte vetëm 20 vjeç dhe ishte ende një boksier amator në kohën kur Fury ishte ngjitur në majat e karrierës së tij.

Pasi mori mburojën e tij të kokës dhe atë të dhëmbëve, një i ri si Joshua u fut në ring me ‘The Gypsy King’.

Fury në atë duel kishte humbur dhe e kishte pranuar se AJ në të ardhmen do të bëhej kampion bote.

Duke folur për London Evening Standard, Joshua kujtoi: “Ai e di se çfarë po vjen. Gjithçka që unë dëshiroja ishte ora e tij Rolex (sepse) ai tha për këtë sparing: ‘Nëse mund të më rrahni ose të më nokautoni, ju mund të keni Rolex-in tim’. Ishte një sparing i mirë dhe unë në të vërtetë nuk dija shumë”.

“Ishte thjesht pasion. Tani kam disa njohuri dhe pasion të boksit, e di që do të jetë një luftë e shkëlqyeshme”.

“Unë kam qenë i uritur atëherë, dhe madje jam edhe më i uritur tani. Kishte një Rolex, por tani ka një rrip edhe më të madh. Jam i sigurt që do të fitoj”, ka shtuar më tej AJ.

Joshua nuk mori Rolex-in, por suksesi i tij brenda ringut ka bërë që kampionët e botës në atë kohë t’ia kenë frikën.

Por, 11 vjet nga ai sparing, ofertat janë shumë më të larta. Ajo për të cilën foli Joshua vjen në formën e një çante prej 100 milionë euro.

Takimi i parë, i planifikuar të jetë në qershor ose korrik, do të jetë një ndarje 50-50 e fitimeve, me rimeçin q do të jetë 60-40 në favor të triumfuesit.

Fituesi i duelit mes Joshuas e Furyt, do të kurorëzojë kampionin e parë të padiskutueshëm në pesha të rënda që nga Lennox Lewis në vitin 1999. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme