Irani thotë se aftësia e tij për të bërë vaksina kundër koronavirusit, tregon se i mjafton vetvetja.
“Ashtu siç u detyruam të prodhojmë raketa vetë, ne prodhuam edhe vaksinë kundër koronavirusit”, tha më 15 mars ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ISNA.
Vaksinat e Iranit kundër koronavirusit janë ende duke iu nënshtruar provave dhe nuk kanë marrë ndonjë miratim zyrtar.
Për më tepër, Irani tashmë ka blerë vaksina nga Rusia, Kina dhe India.
Autoritetet atje thonë se punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata me sëmundje kronike aktualisht po imunizohen me vaksinën ruse Sputnik V.
Një vaksinë e Iranit, rreth së cilës kanë dalë disa detaje, quhet Fakhra.
Ky emër vjen nga shkencëtari i ndjerë bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh, i cili është vrarë afër Teheranit në muajin nëntor.
Pjesëtarë të forcave iraniane bartin arkivolin e shkencëtarit Mohsen Fakhrizadeh gjatë ceremonisë së
Fakhra raportohet se është zbuluar për herë të parë të martën, kur edhe ka filluar testimi i saj klinik. Në ceremoni kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë ministrin iranian të Shëndetësisë, Saeed Namaki.
Ministri u zotua se Irani së shpejti do të bëhet “udhëheqës botëror” në prodhimin e vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Njëri nga dy djemtë e Fakhrizadehut, Hamed Fakhrizadeh, u bë vullnetari i parë që mori dozën e vaksinës Fakhra, e cila u prodhua nga Organizata e Inovacionit dhe Kërkimit Mbrojtës e Ministrisë së Mbrojtjes.
Departamenti më herët është udhëhequr nga Fakhrizadeh. Për vrasjen e tij janë fajësuar agjentët izraelitë.
Një zyrtar pretendoi se Fakhra është “100 për qind e sigurt”, ndërsa Qeveria iraniane tha se ka rreth 20,000 vullnetarë për ta provuar.
Ministria e Shëndetësisë tha se do t’i vaksinojë të gjithë të rriturit iranianë deri në shtator – një qëllim që shumë e shohin si tejet optimist.
Irani filloi provat në njeri të së paku dy vaksinave të veta, vitin e kaluar.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 1.76 iranianë janë infektuar me koronavirus dhe afro 61,500 kanë vdekur.
Numri aktual i të infektuarve dhe të të vdekurve nga pandemia ka të ngjarë të jetë dy ose tri herë më i lartë, thonë disa zyrtarë dhe ekspertë.
Zyrtarët iranianë thonë se deri më tani kanë marrë 410,000 doza të vaksinës ruse Sputnik V, 250,000 të Sinopharm-it të Kinës dhe 125,000 doza të vaksinës COVAXIN të Indisë.
Teherani gjithashtu ka pranuar 100,000 doza të vaksinës së paaprovuar kubane, Soberana-02, e cila do të administrohet në 100,000 njerëz në fazën e tretë të testimit të saj.
Rreth 375,000 doza të COVAXIN-it pritet të arrijnë në Iran të mërkurën, duke e çuar në 1.26 milion numrin e vaksinave të importuara.
Pavarësisht ndalimit të vaksinave amerikane dhe britanike nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, zyrtarët iranianë të shëndetësisë kanë thënë në fillim të shkurtit se ky vend do të sigurojë mbi 4 milionë doza të vaksinës së kompanisë britanike-suedeze, AstraZeneca, përmes projektit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
COVAX është një nismë që synon shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në vendet në zhvillim.
Përdorimi i vaksinave të AstraZeneca-s është duke u pezulluar aktualisht nga disa vende evropiane, për shkak të raporteve se vaksina ka shkaktuar mpiksje gjaku te disa individë.
Zyrtarët iranianë kanë thënë se presin të importojnë, në total, mbi 16 milionë doza të vaksinave nga COVAX, të cilat mund të imunizojnë gati 10 për qind të rreth 84 milionë qytetarëve iranianë.
Mostafa Ghanei, drejtori i Komisionit Shkencor në Selinë Kombëtare të Iranit për Luftimin e Koronavirusit, ka thënë në një intervistë në muajin shkurt se Irani do të ketë nevojë për 160 milionë doza të vaksinave, për ta vënë pandeminë plotësisht nën kontroll.
Duke folur më 15 mars, ministri i Jashtëm iranian, Zarif, ka thënë se vendet perëndimore po grumbullojnë vaksina “tri herë më shumë sesa u nevojiten”.
Ai ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për pengimin e qasjes së Iranit në vaksina, përmes sanksioneve dhe kufizimeve financiare, të vendosura nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
“A mund të thonë ata që kanë parandaluar transferimin e parave tona për blerjen e vaksinave, se kanë mësuar leksionin për njerëzimin”, ka pyetur Zarif, por nuk ka përmendur ndalesën që u ka vënë Khamenei vaksinave të prodhuara në Perëndim.
Khamenei ka thënë se vaksinat e bëra në SHBA dhe në Britani janë “të pabesueshme”, ndërsa shefi i stafit të tij, Ajatollah Mohammad Mohammadi Golpayegani, ka deklaruar në mënyrë të rreme se vaksina Pfizer/BioNTech ka vrarë disa njerëz.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?