Nëse përpiqemi të analizojmë pjesëmarrjen e shqiptarëve në Serbi në jetën publike dhe politike, hasim në probleme që në fillim. Së pari, është e pamundur të përcaktohet se sa shqiptarë ka në Serbi – pa Kosovën.
Numri më i madh i shqiptarëve në Serbi është përqendruar kryesisht në tri komuna në Serbinë jugore – Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë – por regjistrimi i fundit në vitin 2011 atje u bojkotua.
Për shkak të bojkotimit të shumicës së shqiptarëve, të dhënat zyrtare thonë se ka vetëm 5.809 shqiptarë në Serbi. Ndërsa në disa vlerësime të bëra nga autoritetet shtetërore serbe thuhet se numri i shqiptarëve në Serbi, në kohën e regjistrimit të vitit 2011, ishte rreth 74.000.
Rreth 95 përqind e banorëve të Preshevës janë shqiptarë, ndërsa Bujanoci është një mjedis i vërtetë multietnik. Të dhënat e fundit përkatëse vijnë nga regjistrimi i vitit 2002, e në atë kohë kishte rreth 30.000 shqiptarë në këtë komunë.
Jashtë komunave të Bujanocit dhe Preshevës, ka vetëm 11 përqind shqiptarë në territorin e Serbisë – 5 përqind e tyre jetojnë në komunën e Medvegjës. Duke filluar me zgjedhjet lokale të vitit 2002, shumica në Bujanoc u fitua nga partitë shqiptare, të cilat më vonë formuan një qeveri që përfshinte përfaqësues serbë.
Marrëdhënie e ndërlikuar
Në një farë mënyre, ky është një tregues i mjaftueshëm i marrëdhënies së ndërlikuar midis shtetit të Serbisë dhe komunitetit shqiptar. Siç theksuan përfaqësuesit e shqiptarëve me rastin e regjistrimit të popullsisë 2011, regjistrimi u bojkotua kryesisht sepse formularët e regjistrimit ishin shtypur në cirilikë në gjuhën serbe, e si një arsye shtesë ata theksuan probleme të shumta të pazgjidhura lidhur me statusin e tyre si dhe mos realizimin e detyrimeve të shtetit serb ndaj tyre.
Serbien Reportage aus dem Preševo-Tal
Disa politikanë shqiptarë pohuan se dy regjistrimet e mëparshme ishin manipuluar dhe se numri i shqiptarëve po ulet vazhdimisht. Nga ana tjetër, kryetari i atëhershëm i Këshillit Koordinues për Serbinë Jugore, Milan Markoviq, e vlerësoi bojkotin si “një veprim të pajustifikuar dhe radikal, diktuar nga Prishtina”.
Formularë regjistrimit në gjuhën shqipe
Shikuar nga gjendja aktuale, e njëjta gjë do të ndodhë edhe në regjistrimin e ardhshëm, sepse shqiptarët nga Lugina e Preshevës nuk kanë marrë ende ndonjë vendim për të marrë pjesë në regjistrimin e ardhshëm të vitit 2021. Përfaqësuesit politikë shqiptarë nga këto tre komuna edhe një herë tërheqin vëmendjen për rëndësinë e formularëve të regjistrimit në gjuhën shqipe. Ata kërkojnë që regjistruesit të jenë shqiptarë, sepse ata e njohin më mirë terrenin dhe njerëzit.
E kur problemet shfaqen që në nivelin e statistikave, atëherë është e qartë se parametrat e tjerë të pozitës së shqiptarëve në Serbi janë edhe më të komplikuar. Koha po kalon e akuzat e ndërsjella po vazhdojnë dhe po e përkeqësojnë edhe më tej situatën edhe ashtu të vështirë. Problemet më të mëdha janë ekonomia, arsimi dhe kultura. Nga njëra anë, shteti i Serbisë tregon se shqiptarët nga jugu i Serbisë nuk e respektojnë shtetin në të cilin jetojnë dhe se ata po mendojnë vetëm për t’u bashkuar me Kosovën. Në anën tjetër, përfaqësuesit e shqiptarëve thonë se ata kanë humbur besimin tek shteti i Serbisë dhe institucionet e tij.
Mungesë librash shkollorë
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, deklaroi për TV H1 se fajtori kryesor për gjendjen është “mungesa e vullnetit për zgjidhje afatgjatë të problemeve themelore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Krijohet përshtypja se shteti nuk do t’i integrojë ata vërtet në shoqëri”.
Duke folur për problemet specifike, Kamberi thotë se “institucionet shtetërore që veprojnë në nivelin lokal janë etnikisht të pastra, pra pa shqiptarë, ose numri i tyre është simbolik. E ndër problemet e tjera të mëdha janë edhe ato në fushën e arsimit – siç është mosnjohja e diplomave dhe mungesa e librave shkollorë”.
Serbien Reportage aus dem Preševo-Tal | Shaip Kamber, Bürgermeister von Bujanovac
Shaip Kamberi
Së pari, këto janë komuna shumë të varfra, ende janë duke u rimëkëmbur nga konfliktet e armatosura midis forcave të sigurimit të shtetit dhe shqiptarëve kryengritës të mbledhur në Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UCPMB). Konflikti zgjati për gjashtë muaj, nga nëntori i vitit 2000 deri në fund të majit 2001, dhe përfundoi me ndërmjetësimin e NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ky rajon kufitar është në të njëjtën kohë një faktor i pashmangshëm kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.
Shkëmbim territoresh
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve kujtojnë se Deklarata Politike u miratua në vitin 2018, me të cilën ata kërkuan nga të gjithë pjesëmarrësit në negociatat në Bruksel të përfshinin çështjen e të drejtave të shqiptarëve të këtij rajoni në bisedimet përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, theksohet edhe referendumi nga viti 1992, kur 98% e tyre votuan për autonomi politike dhe territoriale me të drejtën për t’u bashkuar me Kosovën. As Serbia e as bashkësia ndërkombëtare nuk e kanë njohur këtë referendum.
Rajoni i Luginës së Preshevës është një temë e pashmangshme edhe kur bëhet fjalë për shkëmbimin e territoreve. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mohon se kjo është e mundur. Lidhur me deklaratën e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit “se si ai ëndërron që Presheva, Bujanoci dhe Medvedja t’i bashkohen Kosovës”, Vuçiq tha se janë tërësisht të pakuptimta “ofertat për shkëmbimin e territoreve – fshatrave nga komunat në veri të Kosovës për komunat në jug të Serbisë – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”. “Mua nuk më interesojnë ëndrrat e askujt, e ai le të mbetet në ëndrrat e tij”, tha Vuçiq mbi propozimet e Thaçit. Vuçiq shtoi me këtë rast se në Medvegjë janë shqiptarë “vetëm rreth 6.5 përqind e popullatës”.
Vuçiq tha se edhe në Bujanoc rreth 42 përqind e banorëve janë serbë. Udhëheqësit lokalë shqiptarë e kundërshtojnë “idenë për bashkimin vetëm të disa vendbanimeve të atjeshme me Kosovën, të cilën e thonë publikisht disa politikanë serbë”. Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se “nëse Kosovës nuk i bashkohen të tri komunat, atëherë është më mirë që të mbetemi pjesë e shtetit të Serbisë”.
Serbien Reportage aus dem Preševo-Tal | Shqiprim Arifi, Bürgermeister von Presevo
Shqiprim Arifi
Por disa udhëheqës të opozitës pretendojnë se Vuçiqi është i gatshëm për këtë lloj tregtie. Presidenti i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, pretendon se “presidenti serb Aleksandar Vuçiq fshehtas i ofroi asokohe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi një shkëmbim – bashkangjitjen e jugut të Serbisë me Kosovën, ndërsa veriut të Kosovës me Serbinë”. Ai kërkon informimin e plotë të opinionit me negociatat e deritanishme dhe çështjet më të rëndësishme për Serbinë.
Lajmet për skenarë të tillë ndiqen me shumë kujdes në jug të Serbisë, jo vetëm tek shqiptarët. Serbët lokalë vlerësojnë se politikanët shqiptarë vetëm po ngrisin më tej tensionet duke folur për bashkimin me Kosovën dhe se ata nuk janë të interesuar për njerëzit që po jetojnë vështirë.
Pjesëmarrja politike e përfaqësuesve shqiptarë nga Serbia e Jugut në Beograd është gjithashtu një pengesë. Për shkak të bojkotit të zgjedhjeve parlamentare, ata kishin një ose dy deputetë në Kuvendin e Serbisë, por duket se diçka po ndryshon në një drejtim pozitiv. Në zgjedhjet e këtij viti, ata garuan me listën e përbashkët “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” dhe fituan 3 vende. Por shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë të kënaqur me kaq: ata duan realizimin e të drejtave të tyre në të gjitha fushat./dw/
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...
Mbahet takimi i 257-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, m...
Dabiqaj heroi i Dritës, “Intelektualët” shkëputen në tabelë
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...