Prezantimi margjinal, ja çfarë shkruhet për UÇK-në në librat shkollorë

16:24 | 14 Mars 2021
S D

Aktualisht në tekstet shkollore të historisë lufta çlirimtare është e prezantuar në mënyrë shumë margjinale.

Për pasojë, sipas historianëve, nga ato përmbajtje, nxënësit nuk arrijnë të krijojnë një minimum të njohurive për përmasën reale dhe rëndësinë fundamentale që kishte lufta çlirimtare në procesin e gjatë dhe historik të çlirimit dhe të pavarësisë.

Konkretisht për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në tekstin e historisë së klasës së nëntë janë të shkruar pak rreshta.

Nxënësit nuk e dinë as kur është themeluar UÇK-ja.

Historiani Halil Brahaj, thotë se në këtë libër mungon historia e themelimit të UÇK-së.

“Nxënësit nuk e dinë se kur është themeluar UÇK-ja, nxënësit nuk e dinë se sa ushtarë ka pasur UÇK-ja. Pastaj nxënësit nuk  e dinë kush kanë qenë udhëheqësit e kësaj organizate për çlirim të vendit tonë, e aq më tepër nuk bëhet fjalë për FSK-në. Do duhej të përfshije transformimi i UÇK-së në TMK. Përkatësisht miratimi i ligjeve që themelojnë ushtrinë e Kosovës me 14 dhjetorë 2019, edhe kjo do të thotë mungon, edhe pse teksti është botuar në 2020”.

Sipas Brahaj, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për ribotimet e mangëta.

“Barra bie mbi të gjithë ata që janë përgjegjës që ky libër të botohet, pasi që ata duhet të tregojnë se pse një libër i botuar në 2020, nuk posedon një nëntitull, pasi që libri historisë është i ndarë kapituj, në tituj, nëntituj më saktësisht në sythe, dhe asnjë nga këto nuk flasin për historinë e ushtrisë sonë.”

Historiani Ibrahim Gashi thotë se tekstet e reja do duhej të përmbajnë një version të mjaftueshëm që nga “lindja” e UÇK-së e deri në transformimin e saj.

“Është e domosdoshme një rishikim i tërësishëm dhe përplotësim i teksteve shkollore të historisë sa i takon përmbajtjeve mësimore mbi historinë e luftës se UÇK-së. Tekstet e reja duhet të përmbajnë një version të mjaftueshëm të njohurive dhe përmbajtjeve mbi këtë temë. Duke përfshirë origjinën dhe fillimet e lëvizjes politike dhe të grupeve të armatosura nga të cilat lindi UÇK. Paraqitjen publike, formën e veprimit, strukturën, ndarjen në zona operative, operacionet luftarake dhe betejat më të rëndësishme. Bashkëpunimin me aleatët e NATO-s, drejtorinë politike dhe rëndësinë që kishte UÇK-ja në çlirimin e Kosovës”, vlerëson Gashi.

Historiani, Haxhhi Ademi, thotë se historia e popullit shqiptarë nuk është paraqitur ashtu siç duhet, pasi që gjatë hartimit të kurrikulave ata kanë marr për bazë Shqipërinë.

Sipas tij, nxënësit tanë mund të mësojnë për jetën politike në Evropë, Amerikë dhe Azi, por nuk mësojnë për të burgosurit tanë politik.

“Gjatë hartimit të kurrikulave si duket këta kanë marrur model Shqipërinë, dhe në Shqipëri fillimisht trajtohet Shqipëria politike më pas edhe pjesë të tjera që ishin të okupuara nga Jugosllavia dhe këto kanë marr model Shqipërinë ku 50% e njësive mësimore i kushtohet Shqipërisë politike dhe pjesa tjetër hapësirës jashtë politikës në këtë rast Kosovës, pozitës së Shqiptarëve në Maqedoni, pozitës së shqiptareve në Mal të zi dhe  janë bërë jashtëzakonisht lëshime të mëdha të cilat nuk ofrojnë njohuri të mjaftueshme për vazhdimësinë e popullsisë shqiptare ndaj kërkesave të tyre që kanë pasur të çlirohen nga Jugosllavia. Nxënësit tanë mund të mësojnë edhe për shumë ngjarje, jetën politike në Evropë, në Amerikë dhe mund të mësojnë për jetën politike në Azi, por assesi nuk mësojnë për jetën politike dhe të burgosurit tanë politik, të cilat kanë kaluar me vite e shekuj të tërë nëpër burgje të Serbisë sepse kërkonin mëvetësinë dhe bashkimin kombëtar me Shqipërinë. Në bazë të statistikave zyrtare që  janë nxerrur Shqiptarët kanë kaluar mese 666 shekuj e 72 vjet nëpër burgje të Serbisë dhe gjithsej janë trajtuar nëpër burgje të Serbisë mbi 850 mijë shqiptarë dikush është dënuar një vjet e dikush me burg të përjetshëm, do të thotë në tekstet e historisë zënë vend figura markante, e për dyzet vite ka qenë model i gjithë të burgosurve politik Adem Demaçi, fëmijët tanë do të thotë mund ta përfundojnë shkollën fillore mund të marrin një profesion tjetër , por nuk mësojnë për veprimtarin e Adem Demaçit”, ka thënë Ademi.

E përpos kësaj sipas Ademit të dhënat janë kontradiktore në dy tri faqe të cilat pasqyrojnë numrin e viktimave në Kosovë, por që edhe rastet e përdhunimeve nuk figurojnë fare.

“Disa nga të dhënat janë kontradiktore në dy tri faqe të cilat pasqyrojnë numrin e viktimave në Kosovë. Autori e ndan historinë e luftës së UCK-së në dy periudha në 1998-99. Në periudhën si mbas autorit forcat serbe kanë vrarë mbi 2000 shqiptarë ndërkaq në 1999 gjatë bombardimeve të NATOS-së thonë anë vrarë 15.000 mijë shqiptarë që i bie diku 17.000 mijë shqiptarë, më pas kur shkon dhe e bënë një analizë të kësaj se sa janë dëmet e luftës autori harron të citojë këtë dhe thotë që në luftën e e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 12.000 mijë shqiptarë civil të pafajshëm. Autori pos të tjerash harron të citoj edhe një fakt që është jashtëzakonisht i rëndësishëm, nuk zë në gojë që në Kosovë më luftën e fundit janë dhunuar dhe përdhunuar mbi 20.000 mijë persona , meshkuj dhe femra”, përfundoi Ademi.

Ndërsa  sipas historianit Brahaj njëra nga të metat më të mëdha është se nxënësit nuk njohin asnjë hero tjetër përpos Adem Jasharit, e as për sakrificën  e familjes Jashari.

“Çka është e meta më e madhe se në këtë libër nxënësit nuk njohin asnjë hero tjetër pos Adem Jasharit. Si e veçantë nuk përfshihet pasi që do duhej t’i vihej titulli “Sakrifica e familjes Jashari, e pastaj t’i atribuohej më tepër vetëm familjes Jashari. Nuk përmendet se sa anëtarë të familjes Jashari janë vrarë në betejën epike të 5, 6 dhe 7 marsit 1998. Pastaj asnjë nga heronjtë tjerë nuk përmenden siç janë Zahir Pajazit, Fehmi Lladrovci etj, përderisa në brendi përmenden hero të luftës nacionalo çlirimtare, hero të partizanëve përkatësisht të komunistëve, e pse të mos përmenden edhe heronjtë e tjerë. Ne e dimë që 2000 dëshmorë nuk mund të përmenden në një tekst shkollor, por së paku disa nga ta të përmenden e në mesin e tyre edhe heroina Xheva Lladrovci”, vlerëson Brahaj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme