Kosova ka nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, por këtë e kundërshton BE, Lidhja e Vendeve Arabe dhe Turqia.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, ku në fokus është zotimi i Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem ka nxitur një debat në Kosovë, nëse duhet bërë hapja e ambasadës apo jo. Kosova ka nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për vendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem, por ky hap hasi në kundërshtimin e Bashkimit Evropian, Lidhjes së Vendeve Arabe dhe Turqisë. Kosovës iu kërkua që të mos e vendosë ambasadën në Jerusalem.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se qeveria e re e Kosovës do të koordinohet për çdo veprim me administratën e re të presidenitt amerikan, Joe Biden. “Ne do të koordinojmë çdo veprim tonin diplomatik me SHBA-së dhe Administratën Biden, atje është Jerusalemi ynë”, është shprehur Vjosa Osmani.
Letra urimi me dëshira e porosi
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë dhe fitores së lëvizjes Vetëvendosja të Albin Kurtit, i shkroi një letër urimi, ku ndër të tjera i drejtohet Kurtit që pritet të formojë qeverinë e Kosovës se “e pret në Izrael që në Jerusalem së bashku të inaugurojnë ambasadën e Kosovës”.
Por pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, letër urimi Albin Kurtit i shkroi edhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i cili tha se “është i gëzuar që mësoi qëndrimin e tij “për rishqyrtimin e zotimit” për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në rast të ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në qeveri”.
Erdogan e ka porositur Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.
Vetë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u ka nisur letra presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në të cilat është zotuar për thellim të bashkëpunimit, kur të formojë qeverinë e re në Kosovë, por në asnjërën letër, ai nuk përmend nëse do ta hap ambasadën në Jerusalem sipas kërkesës së Netanjahut, apo nuk do ta hapë sipas kërkesës së Erdoganit.
VV ende pret
Në një takim me 1 mars ndërmjet liderit të Vetëvendosjes dhe ambasadorit turk në Prishtinë Çağri Sakar, Albin Kurti, paralajmëroi se do ta shqyrtojë çështjen, se në cilin qytet do të vendoset ambasada e Kosovës, në Tel Aviv apo Jerusalem, por ka shtuar se “për këtë gjë do të shihet edhe dokumentacioni i qeverisë në ikje”.
Zëdhënësi i lëvizjes Vetëvendosje Përparim Kryeziu, thotë se deklarimet e Albin Kurtit lidhur për zotimet e qeverisë në ikje për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem kanë qenë konsistente.
“Në lidhje me vendndodhjen e Ambasadës, zoti Kurti ka qenë korrekt, konsistent dhe transparent në qëndrimet e tij, duke thënë se ajo është një çështje që do të trajtohet nga qeveria e re pasi të jetë konsultuar dokumentacioni i qeverisë në detyrë. Ky është një veprim i rëndësishëm para një vendimi të qeverisë së tij për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi Kryeziu.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem është e paraparë me marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit 2020, kur Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Menjëherë pas kësaj marrëveshje, Bashkimi Evropian u shpreh i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
“Meqë Kosova dhe Serbia e kanë përcaktuar integrimin evropian si përparësi strategjike, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të veprojnë në harmoni me këtë përkushtim që të mos dëmtojnë ardhmërinë e tyre evropiane. Serbia tashmë është duke negociuar këtë anëtarësim dhe pritet që ajo të harmonizojë politikën e saj me ato të Bashkimit Evropian”, pati thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Bashkimi Evropian më 2 shkurt të këtij viti një ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, dhe ku u tha se ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem, shprehu keqardhje për vendimin e Kosovës, për faktin që Jerusalemin BE-ja e konsideron qytet me një status ende të pazgjidhur.
Hoti: Shtetet duhet të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare ndërkaq, thonë se sipas së drejtës diplomatike dhe konsullore, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare publike, përcaktimi i lokacioneve të përfaqësive të huaja diplomatike është e drejtë ekskluzive kushtetuese dhe sovrane e shtetit që i pranon ato përfaqësi.
Afrim Hoti profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës thotë se për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka pasur zotim publik të nënshkruar nga autoritetet legjitime të Kosovës. “Tani ka mbetur vetëm jetësimi i vendosjes së ambasadës, sepse shtetet duhet t’u qëndrojnë besnike marrëveshjeve të nënshkruara”, thotë Hoti.
“Kurti duhet t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit të Izraelit varësisht nga qëndrimi që ai ndërton për politikën e jashtme. Është thuajse si parim fondamental që marrëveshjet duhet të respektohen. Dhe mbi këtë bazë tashmë kemi një marrëveshje tri palëshe bashkë me Izraelin dhe SHBA-të, dhe e njëjta ose duhet të respektohet ose eventualisht duhet të iniciohet procedura për ndryshimin e asaj. Nëse nuk e ka inicim, atëherë marrëveshjet ndërkombëtare duhet të zbatohen”, thotë Hoti.
Shasha: “Askush nuk dëshiron të jetë “delja e zezë” ndërkombëtare”
Një njohës tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Demush Shasha nga Instituti për Politika Evropiane, EPIK i tha DW-së, se duhet vlerësuar lartë njohja e pavarësisë së Kosoës nga Izraeli, por i gabuar është vendimi për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
“Askush nuk dëshiron të jetë “delja e zezë” ndërkombëtare. Një veprim i tillë është në shkelje flagrante të drejtës ndërkombëtare dhe paraqet minim të procesit negociator në mes Palestinës dhe Izraelit. Kjo është në veçanti e dëmshme në rastin e Kosovës, pasi që Kosova si një shtet i cili synon të anëtarësohet në OKB është duke bërë shkelje të rëndë të standardeve më të rëndësishme ndërkombëtare të OKB-së”, thotë Shasha.
Sipas tij, “refuzimi i mbarë botës për të vendosur ambasadat e tyre në Jerusalem, reflekton konsensusin 50-vjeçar ndërkombëtar për t’ia lënë këtë çështje procesit negociator në mes palëve”.
“Tani, vendimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike është marrë. Është tejet e vështirë që ai vendim të tërhiqet, edhe pse ekzistojnë shembujt e tillë si ai në rastin e Paraguait. Sidoqoftë, konsideroj se njohja nga Izraeli nuk është siguruar nga përfaqësuesit e Kosovës, por nga miqtë ndërkombëtare të Kosovës. Prandaj, qeveria e re duhet të zhvilloj një dialog të afërt me SHBA dhe BE me qëllim të dakordimit të fatit të ambasadës se Kosovës në Izrael”, thotë Demush Shasha.
Sipas tij, sa herë bëhet fjalë për marrjen e detyrimeve ndërkombëtare, përfaqësuesit e institucionet e Kosovës duhet paraprakisht të sigurohen se kanë mbështetjen e gjithë spektrit politik në Kosovë me qëllim të jetësimit të obligimeve ndërkombëtare. /dw/
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?
Kearns, Vuçiqit: Mohimi është vazhdimësi e krimeve, ajo që f...
Leverkuseni i Xhakës synon vetëm fitore ndaj Salzburg
Aktivistët e LVV-së në Mitrovicë me pankarta ku “kërko...
LVV: Kontratat njëburimore janë vetëm propagandë e opozitës