Nisja e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011 nuk ka sjell asgjë rreth zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Familjarët e të pagjeturve, vazhdimisht kanë kërkuar që ky dialog të mos vazhdojë pa ndonjë përgjigjeje apo veprim konkret nga ana e Serbisë rreth kësaj çështje, shkruan arbresh.info.
Përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Çerkini në një intervistë për arbresh.info ka thënë se pa dokumente që tregojnë vendet se ku janë dërguar trupat e më të dashurve të tyre, përfaqësuesit kosovarë nuk duhet të vazhdojnë bisedimet në Bruksel.
Ai, po ashtu tha se kërkesa e Serbisë që të hapen arkivat e UÇK-së, është e pa tolerueshme.
“Është marre mu ulë në Bruksel pa dokument pa skic, pa thanë këtu janë. Nuk kemi më nevojë mu ulë me grupin punues të Serbisë, i cili del se duhet me i hap arkivat e UÇK-së. Po të hapura janë kur duash, hajde këqyrë se s’ka pas, ata janë kanë n’patika, ata janë kanë për me mbrojt popullin sa kanë mund me mbrojt.
Sidoqoftë fjala është për kushte se çfarë duhet t’i vendosen Serbisë me bisedu rreth të pagjeturve. Nuk isha ulë edhe me mu dhanë rasti si familjarë me m’ pyet dikush, ma nuk kish pas kurrfarë bisede rreth dialogut Serbi-Kosovë” u shpreh Çerkini.
Ai, thotë se ka ardhur koha që familjet e të pagjeturve të çlirohen nga dhimbja që tash e sa vite po u shkakton mos gjetja e më të dashurve të tyre.
“Tash me na heq këtë flakë të zemrës, duhet këta tonët me ngul pak këmbë, duhet me mëndu more pak se çka është fëmija. Ky popull po donë me ik, jo serioziteti i punës, po serioziteti që s’ma ke gjet babën , motrën, vëllain, përditë mu më dhemb kryet, përditë mu më pyesin çka ka të re”, u shpreh Çerkini për arbresh.info.
Çerkini ka edhe një kërkesë për Bashkësinë Ndërkombëtare.
Ai, thotë se ndërkombëtarët nuk duhet të lejojnë që të luhet me trupat e familjarëve të tyre, por t’i kthejnë ata tek familjet e tyre.
Cerkini thotë se duhet të kërkohen dokumentet, të cilat dëshmojnë se këto krime i ka kryere Serbia.
“ Në coftë se pranohet ky kusht dhe Bashkësia ndërkombëtare e ka përnjëmend, nuk e lenë ma me rrejt, nuk e lenë ma me luajt me trupat tonë, por i thotë që ja ku janë dhe ktheni tek familjet”, shprehet ai.
Kërkesa e tij si prind që ka humbur djalin e tij, i cili ende është në mesin e të pagjeturve, është që ta di vendndodhjen e djalit të tij, sado e hidhur të jetë e vërteta.
“Nëse këta e kanë perime me zbardh fatin e të pagjeturve, na e thuaj të vërtetën sado e hidhur të jetë ajo, në qoftë se është e vërtet dhe neve kanë me na liru”, përfundoi Çerkini.
Gara: 70% e rasteve tanimë janë zgjidhur
Në anën tjetër, udhëheqësi i Njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Kushtrim Gara, ka thënë se 70% e rasteve tanimë janë zgjidhur, por që ende ka shumë familje që 22 vite pas luftës jetojnë në ankthe për më të dashurit e tyre.
“Çështja e personave të zhdukur, padyshim përbënë pasojën më të rëndë të luftës gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë. Gjatë kësaj kohe dhe më pas numri i përgjithshëm i personave për të cilët familjarët kanë hapur ‘kërkesë gjurmimi’ fillimisht në organizatat ndërkombëtare si Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) dhe organizatat tjera, apo edhe në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur (në veçanti pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Persona të Zhdukur), ka qenë mbi 6000 raste të personave të zhdukur . Aktualisht janë edhe 1637 persona të pagjetur”, thotë Gara për arbresh.info
Pa dashur që procesin ta interpretojë në terma statistikor për shkak të ndjeshmërisë së procesit, Gara thotë se për faktin se çdo numër e statistikë prezantojnë njerëz, fati dhe vendndodhja e të cilëve nuk dihet.
“Ka shumë familje që edhe 22 vite paslufte vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes , megjithatë duhet theksuar se mbi 70 % e rasteve tanimë janë zgjidhur, gjithnjë duke vlerësuar lart përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti edhe në hapjen e pesë lokacioneve të varrezave masive në territorin e Serbisë”, ka thënë Gara.
Ai, po ashtu thotë se është me rëndësi që kjo çështje të trajtohet me seriozitetin më të madh.
“Është shumë më rëndësi që çështja e personave të zhduku të vazhdoj të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë. Gjatë vitit 2020, krahas angazhimit në gërmimet në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak, Rashkë (Serbi), janë të paktën 9 lokacione të proceduara në kuptimin e gërmimit vlerësues brenda territorit të Republikës së Kosovës , ku janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore te të paktën 11 personave, viktima të luftës”, shprehet Gara.
Gara pohon se vazhdimisht është bërë kërkesë që presioni të jetë më i madh në drejtim të Serbisë për informacione të reja, e në veçanti për hapjen e arkivave të ish-ushtrisë Jugosllave.
“Çështja e të pagjeturve është trajtuar në ‘dialogun e Brukselit’ dhe është një nga zotimet në ‘marrëveshjet e Uashingtonit. Nisur edhe nga përvoja e deritanishme, përkatësisht angazhimi i deritanishëm në hapjen e pesë lokacioneve të varrezave masive në territorin e Serbisë, është kërkesë e vazhdueshme që edhe në koordinim dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, të shtohet presionin edhe më tutje ndaj institucioneve të Serbisë në ndarjen e informatave , në veçanti në hapjen e arkivave të ish-ushtrisë Jugosllave dhe institucioneve tjera shtetërore të Serbisë gjatë vitit 1998 -’99”, ka bërë të ditur Gara.
Makolli: Nëse çështja e të zhdukurve do jetë pjesë e dialogut në Bruksel, mbetet në duart e qeverisë së re
Në anën tjetër, ish- Koordinatori i Delegacionit të Kosovës për Persona të Pagjetur, Ibrahim Makolli, për arbresh.info thotë se çështja e të pagjeturve nuk ka qenë e lidhur ngushtë me dialogun qysh nga fillimi.
“ Çështja e të zhdukurve asnjëherë nuk ka qenë e lidhur ngushtë me bisedimet Kosovë-Serbi, atëherë kur kanë filluar bisedimet teknike në fund të vitit 2011. Sa i parkete çështjes së të zhdukurve ekziston një grup punues për persona të zhdukur që udhëhiqet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, e që ka dalë si proces i dialogut në Vjen, ku në të bëjnë pjesë përpos atij ndërkombëtar dhe atij të Kuq edhe dy delegacione ai i Kosovës dhe i Serbisë.
Mandati i këtij grupi është që të shkëmbej informata, dhe prej atëherë është vepruar, dhe duke marr për bazë që pas përfundimit të luftës kanë qenë të paraqiture si të zhdukur rreth 6500, ndërsa në ditën kur po flasim janë 1637, persona të zhdukur , në Kosovë i takojnë periudhës së luftës dhe pas luftës. Përkundër progresit që ka pasur në zbulimin e fatit të personave të zhdukur megjithatë ky numër na bënë të përgjegjshëm që të ketë angazhim të mëtutjeshëm deri në zbulimin e fatit të personit të fundit”, tha ai.
Makolli, po ashtu tha se vitin e fundit janë punuar në disa lokacione përfshirë edhe territorin e Serbisë, ku janë gjetur edhe disa mbetje mortore.
“Aktualisht po punohet në disa prej lokacioneve, të cilat janë identifikuar në vitin e fundit edhe brenda Kosovës, por në veçanti edhe në territorin e Serbisë . Në fund të vitit të kaluar është zbuluar mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta në lokacioni Kizhevak, ku është hulumtua për vite me radhë, punime janë ndërprerë me rekomandim të mjekësisë ligjore dhe do të fillojmë pas përmirësimit të kushteve atmosferike. Ka angazhime të përditshme në këtë drejtim natyrisht”.
Se a do duhej që çështja e të pagjeturve të ishte pikë nismëtare e dialogut, Makolli thotë se kjo i takon qeverisë së re.
Sipas tij, në qeverinë e kaluar kishte një pajtueshmëri sa i për ketë një dokumenti të përgjithshëm në këtë drejtim.
“Me rifillimin e dialogut në vitin e kaluar, tema e parë e dialogut ka qenë tema e të zhdukurve, që është trajtuar në tri takime të dialogut në Bruksel, ku është arritur që të ketë një pajtueshmëri sa i përket përmbajtjes të një dokumenti të përgjithshëm. Qeveria e Kosovës në atë kohë pati deklaruar që pa përfshirjen e çështjes së personave të zhdukur, nuk mund të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Andaj kjo i mbetet qeverisë së re se cilat i ka prioritet”, u shpreh Makolli.
Ndryshe, janë bërë 22 vjet që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, dhe ende figurojnë si të pagjetur 1600 persona. Familjarët e tyre, ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve./arbresh.info./Sahide Dedushi/
“Kajta pak qetash”, Burimi, Vullnetit: Tash e pash kush më d...
Kelmendi diskuton me kryeprokurorët për trajtimin e rasteve ...
Rio de Janeiro, qyteti bregdetar i Brazilit me famë botërore
Arrestohet 56 vjeçari në Kaçanik, ishte i kërkuar për veprën...
Gjermanët paralajmërojnë tifozët: Kujdes në Beograd, droga d...
Koalicionit AAK-Nisma i bashkohet ‘Lista Ideali’