Pas vendimit të Supremes, Duda Balje e Erxhan Galushi fitojnë ulëse në Kuvend

17:58 | 12 Mars 2021
L G

Duda Balje e Erxhan Galushi janë dy përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kosovë të cilët kanë fituar ulëse në Kuvend, pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme, që la jashtë Adrijana Hoxhiqin nga lista “Komuniteti i Bashkuar” dhe Hatixhe Gjorgjeviq, nga Iniciativa Rome.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli për Telegrafin ka thënë se sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, e cila sot refuzoi ankesën e Adrijana Hoxhiq, janë dy mandate të cilat do të pësojnë ndryshime.

“Iniciativa Rome, ka fituar dy mandate, mandatin e parë si partia më e votuar në mesin e partive rome, plus mandatin e dytë si partia më e madhe në mesin e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian. Kur i janë hequr një pjesë e votave, atëherë në vendin e dytë është Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, i cili tash e fiton ulësen e dytë”, sqaroi Cakolli.

Sipas Cakollit, edhe një pjesë e votave është dashur të anulohen në Graçanicë.

“Edhe pse në parim, kjo nuk është dashur të ndodh, sepse unë mendoj që edhe një pjesë e votave është dasht me u anulu në Graçanicë, për shkak se kjo ulësja e katërt, në mesin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, i jepet komunitetit që ka marrë më shumë vota, por statistikisht, romët janë komuniteti më i vogël, krahasuar me ashkali dhe egjiptas, por meqë Supremja nuk i ka anuluar të tjerat dhe shkon kështu”, tha Cakolli për telegrafin.

Cakolli po ashtu numëroi përfaqësuesit e komuniteteve pakicë jo-serbe që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës .

“Tash një mandat e ka Romani Iniciativa, një LPRK-ja, një IRDK, dhe një PAI. Tash tek boshnjakët e kanë një Koalicioni VAKAT, një Duda Balje dhe tjetrën Emilja Rexhepi, ndërkaq te goranët, Adem Hoxha dhe dy mandate partia turke”, sqaroi Cakolli.

Ndryshe, në lidhje me këto ndryshime ka reaguar edhe bartësi i listës së LPRK-së, Erxhan Galushi.

Ai është shprehur se do të jetë zë i fuqishëm i komunitetit të tij në Kuvendin e Kosovës.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, bashkëkombës të komunitetit Romë, sot, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Supreme, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës – LPRK, definitivisht bëhet pjesë e legjislaturës së VIII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me mua si deputet, ku do të jem zë i fuqishëm i komunitetit dhe shtetit tim. Me këtë rast, si kryetar i LPRK-së, ju uroj fitoren gjithë komunitetit Romë, simpatizantëve të partisë sonë (LPRK), si dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shkruan Galushi në Facebook.

Kolegjet gjyqësore të Gjykatës Supreme kanë vendosur sot për shtatë ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Katër ankesa janë shqyrtuar në një vendim të vetëm, përkatësisht ankesat e subjekteve politike; Romani Iniciativa (AA.nr29/2021), Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia e Ashkalive për Integrim (AA.nr.35/2021) dhe Lëvizja Përparimtare e Romeve të Kosovës (AA.nr.36/2021), të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) A.nr.736/2021 të dt.07.03.2021, dhe ankesës së dytë, e pranuar sot, e subjektit politik Romani Iniciativa (AA.nr.39/2021), e paraqitur kundër vendimit plotësues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa A.nr.736/2021, datës 10.03.2021.

Në njoftimin për media thuhet se me aktgjykimin AA.nr.29/2021 është vendosur që këto ankesa të refuzohen si të pabazuara.

Dy ankesa janë shqyrtuar në një vendim të vetëm, përkatësisht ankesa e subjektit politik Ujedinjena Zajednica-Adrijana Hodzic dhe ankesa e subjektit politik Social Demokratska-UNIJA SDU, të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.656/2021, të datës 07.03.2021.

Me aktgjykimin AA.nr.30/2021 është vendosur që këto ankesa të refuzohen si të pabazuara.

Ankesa e subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.761/2021, lidhur me kërkesën për numërimin e 20.550 pakove me fletëvotime të arritura me postë nga votuesit jashtë Kosovës, është refuzuar si e pabazuar përmes aktgjykimit AA.nr.38/2021.

E pas këtij vendimi të Supremes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do të mblidhet për të bërë edhe certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se KQZ-ja do të mblidhet të shtunën për certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt. Për orën e saktë të mbledhjes do t’iu njoftojmë me kohë”, tha Elezi.

Pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ, ushtruesja e detyrës së Presidentit ka afat 30 ditë për të thirrur seancën konstituive, në të cilën duhet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme