Google ADS

Shqipëri, mbi 30 raste të variantit britanik të coronavirusit

23:12 | 11 Mars 2021
A. B.

Në Shqipëri autoritetet njoftuan sot se janë konfirmuar rastet e para të variantit britanik të coronavirusit. Për këtë shkak, Komiteti teknik i ekspertëve, ka vendosur të mbajë ende në fuqi të njejtat masa shtrënguese, pavarësisht se që nga fillimi i këtij muaji është vënë re një ulje e rasteve të reja pozitive.

“Rezultatet e testimeve të kryera, treguan se kampionët janë të infektuar me variantin e ri, pra rezultoi se mbajnë një shenjë të mutacionit britanik”, bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në daljen e saj publike së bashku me Komitetin Teknik të Ekspertëve.

Dyshimet e para të autoriteteve për qarkullimin e variantit britanik kishin lindur që në fillim të muajit shkurt. Disa dhjetra mostra u dërguan në një laborator të specializuar në Londër, por pa marrë ende një përgjigje.

Rastet e tanishme u konfirmuan në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), falë disa kiteve të posaçme të siguruara nga Instituti homolog i Ankarasë. “Janë disa kite të cilat lejojnë metodën PCR, për të identifikuar këtë lloj mutacioni. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dhe mutacione të tjera, qoftë atë të Afrikës së jugut, qoftë të reja që mund të dalin në qarkullim”, shpjegoi Silva Bino, Shefe e Departamentit te Epidemiologjisë në ISHPK.

Bëhet fjalë për mbi 30 raste që i përkasin personave që kanë patur kontakte me njerëz që kanë udhëtuar jashtë vendit, atyre që janë infektuar për herë të dytë dhe të sëmurëve të shtruar në gjendje kritike në spitale.

Që prej fillimit të muajit mars, në vend, është rregjistruar një rënie e rasteve të reja. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico shpjegoi se janë vënë re “ndryshime në incidencën dy javore e cila ka pësuar një rënie në 405 për 100 mijë banorë nga 515. Mesatarja e rasteve ditore ka rënë te 819 nga 989”. Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave zyrtare janë kryer 3077 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 602 qytetarë.

Megjithatë shifrat e të shtruarve dhe humbjet e jetëve kanë vijuar të jenë të larta. Të dhënat e 24 orëve të fundit flasin për 620 pacientë, të shtruar në spitalet COVID në Tiranë dhe në tre spitalet rajonale. Prej tyre 25 janë në terapi intensive, ndërsa 12 pacientë të tjerë janë të intubuar. Ndërkohë janë 16 qytetarë, të cilët kanë humbur jetën: 7 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarë nga Fieri, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Gramshi, 1 qytetar nga Prrenjasi, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 41-78 vjeç.

Një situatë e tillë dhe konfirmimi i variantit britanik, i cili ka jo vetëm një transmetueshmëri, por edhe rrezikshmëri më të lartë, sa i takon shenjave klinike që shfaq, ka bërë që Komiteti Teknik i Ekspertëve të vendosë që “masat të cilat janë propozuar me shumë vëmendje dhe që kanë dhënë efikasitetin e tyre, ne të vazhdojmë t’i mbajmë dhe për një periudhë dyjavore, në këtë status”, deklaroi Kryetarja e Komitetit Mira Rakacolli.

Shqipëria ndërkohë vijon vaksinimin me disa qindra doza në ditë. Ndërsa po përmbyllet vaksinimi i personelit shëndetësor, mbi 38 mijë dozat e vaksinës Astrazeneca që pritet të mbërrijnë nesër, përmes instrumentit COVAX, do të përdoren kryesisht për mësuesit. /VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme