“Nacionalizmi i vaksinave”, Charles Michel hedh poshtë akuzat

01:54 | 10 Mars 2021
Trina Galanxhi

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel hodhi poshtë të martën akuzat për “nacionalizëm të vaksinave” të ngritura kundër BE-së, duke thënë se ndërsa Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë aplikuar ndalime të drejtpërdrejta të eksportit të vaksinave, Bashkimi Evropian nuk e ka bërë një gjë të tillë.

BE e ka gjetur veten nën kritika për ritmet shumë më të ngadalta të shpërndarjes së vaksinave se sa në Britani ose në Shtetet e Bashkuara. Ajo është kritikuar gjithashtu se ka bërë më pak se Kina, Rusia ose India për të furnizuar vendet e varfra me vaksina.

Javën e kaluar BE-ja shkaktoi irritim te blerësit e vaksinave jashtë vendit duke mbështetur një vendim të Italisë për të ndaluar një dërgesë vaksinash në Australi.

Britania iu përgjigj shpejt komenteve të zotit Michel, i cili përfaqëson 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk ka bllokuar eksportin e as edhe një vaksine të vetme.

Çdo referencë ndaj një ndalimi eksportesh ose ndonjë kufizimi vaksinash nga ana e Britanisë është plotësisht e rreme,” tha një zëdhënësi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Në një deklaratë të gjatë zoti Michel i doli në mbrojtje strategjisë së bllokut. Ai tha se pa Evropën, nuk do të ishte e mundur të zhvilloheshin dhe prodhoheshin disa vaksina në më pak se një vit dhe se solidariteti i BE-së kishte bërë të mundur që vendet më të varfëra të bllokut të merrnin dozat e para.

Ai vuri në shënjestër furnizimin “shumë të reklamuar” të vaksinave nga Kina dhe Rusia për vendet e tjera.

“Ne nuk duhet të lejojmë që të mashtrohemi nga Kina dhe Rusia, të dyja regjime me vlera më pak të dëshirueshme se e jona, pasi ato organizojnë operacione shumë të kufizuara, por të reklamuara gjerësisht se po furnizojnë të tjerët me vaksina”, tha ai. Zoti Michel gjithashtu vuri në dukje se Kina dhe Rusia kishin vaksinuar më pak njerëz në vendet e tyre sesa BE-ja.

“Evropa nuk i përdor vaksinat për qëllime propagandistike. Ne promovojmë vlerat tona,” tha ai.

Ai tha se BE-ja do të bëhet prodhuesi kryesor i vaksinave në botë në muajt e ardhshëm dhe se ishte e pajisur më së miri për të përshtatur me shpejtësi prodhimin e vaksinave ndaj mutacioneve të virusit.

Kritika e qeverisë britanike ndaj komenteve të zotit Michel vjen në një kohë tensionesh në rritje midis Londrës dhe Brukselit pas përfundimit të daljes së Britanisë nga BE-ja në fund të vitit 2020./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme