Maqedoni, punëdhënësit paralajmërojnë largime nga puna për shkak të shpalljes së ditës së diel si ditë pushimi

16:09 | 8 Mars 2021
A. B.

Në panel diskutimin e sotëm të Odës Ekonomike të Maqedoni u tha se shpallja e ditës së diel për ditë pushimi do të paraqesë humbje financiare në disa sektorë, do ta ulë produktivitetin dhe konkurrencën dhe do t’i detyrojë investitorët e huaj që ta shqyrtojnë vendimin për investim në vend.

Panelistët thanë se shpallja e ditës së diel si ditë pushime nuk do t’i japë përfitimet e pritshme dhe do të nxisë probleme në punën e shumicës së sektorëve. Në ndërtimtari do të zgjaten afatet për ndërtim, do të ndryshohet procesi prodhues te kompanitë, ndërsa në tregti dhe te bastoret sportive, ku fundjava është periudha me më shumë vizitorë do të ketë rënie të qarkullimit dhe do të ketë largime nga puna.

Vlerësimet janë se në qendrat tregtare për rreth 10% e punonjësve do t’i humbasin vendet e punës, ndërsa te bastoret sportive gati një e treta do të mbesin pa punë.

“E diela si ditë merr pjesë me rreth 18% të qarkullimit në qendrat tregtare. E diela është një ndër ditët ku më së shumti vizitohen qendrat tregtare për shkak se një pjesë e popullatës nuk punon dhe njerëzit dëshirojnë ta shfrytëzojnë kohën e lirë në qendra tregtare”, tha Igor Davkov nga “Skopje East Gate”, i cili ndërton qendrën më të madhe tregtare në vend.

Bastoret sportive, të cilët varen nga lojërat që luhen gjatë fundjavës do të kishin rënie të qarkullimit për 70%.

“Më shumë se 70% e qarkullimit te ne realizohet pikërisht gjatë ditës së diel, atëherë kur ka ndodhin lojërat. Në anën tjetër, bastoret sportive vizitohen nga njerëzit kur kanë kohë të lirë. Kjo do të thotë se do të ketë rënie të qarkullimit për më shumë se 70%”, tha Vasko Ilijevski nga Grupacioni i bastoreve sportive.

Edhe ndërtimtarët kërkojnë që të shqyrtohet vendimi për shpalljen e ditës së diel si ditë pushimi për shkak se kjo do të ndikojë te realizimi i projekteve kapitale.

“Si sektor ndërtues kemi bërë hulumtime se me mospunën gjatë ditës së diel do ta zvogëlojmë produktivitetin para dhe pas”, tha Andrea Serafimovski nga “Granit” dhe sqaroi se me këtë vendim edhe gjatë ditës së shtunë dhe gjatë ditës së diel do të ulet produktiviteti për 80%.

Ndryshe, shpallja e ditës së diel si ditë pushimi është propozuar nga Qeveria dhe pritet të votohet nga Kuvendi./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme