Opozita kritikon diplomacinë ekonomike të Maqedonisë

21:10 | 7 Mars 2021
A. B.

Opozita është skeptike se Ministria e Punëve të Jashtme do ta revitalizojë me sukses diplomacinë ekonomike. Dështimi i konkursit të parë për këshilltarë ekonomik sipas opozitës, dëshmon keq-menaxhimin e këtij dikasteri dhe mungesën e një vlerësimi real të resurseve njerëzore.

“Sipas meje, sistemi i mëparshëm i promotorëve ekonomik nga Agjencia për promovim dhe tërheqje të investimeve të huaja ishte më i mirë. Në ministri nuk ka njerëz të mjaftueshëm dhe vlerësimi që e kanë bërë nuk mbanë. Kjo mund të përfundojë me kushtimisht thënë “dërgimin” e një numri të caktuar të njerëzve pjesërisht të trajnuar në ambasada, por nuk besoj se kjo do t’i realizojë qëllimet për thithje të investimeve të huaja”, pohoi Antonio Milloshoski, OBRM-PDUKM.

“Kujtojmë se me vite tanimë nuk kemi ambasadorë fuqiplotë në shumë vende kyçe të botës, siç janë Franca apo Holanda dhe se diplomacia jonë është në gjendje të vdekjes klinike. Dhe kur i shton kësaj imazhin katastrofik të vendit në botë, nuk mund të presim mrekullia. Me rangimin që na bëri Transparency International këtë vit dhe kategorizimin si regjim hibrid nga The Economist, mesazhi për investitorët është më se i qartë: Maqedonia e Veriut është një destinacion që duhet shmangur”, pohoi Arben Fetahi, ASH AAA.

Ministri, Osmani fillimisht u zotua se këshilltarët ekonomik do të fillonin me punë në pranverë të 2021-shit. Më 17 shkurt tha se konkursi kishte dështuar dhe paralajmëroi rishpalljen e tij por më 5 mars deklaroi se përzgjedhja akoma nuk është bërë.

“Nuk u bë përzgjedhja, për shkak të vlerësimit tim se duhet të ketë kolorit më të madh në atë konkurs. Prandaj kemi vendosur që ta rishpallim edhe një herë konkursin”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm .

“Në momentin kur do të finalizohet përzgjedhja, opinioni do të informohet. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë proces, është pilot, është fazë e testimit të projektit dhe natyrisht në vazhdimësi bëjmë modifikime”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

33 promotorët ekonomik që vendi i angazhoi nga viti 2008 deri në vitin 2017 patën një kosto prej 1.2 milion euro ndërkohë që rezultatet e punës së tyre ishin të papërfillshme./Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme