Ndoshta keni dëgjuar historinë e famshme të dy Drenicave por në versione të ndryshme të cilat kanë qarkulluar brez pas brezi për ‘Drenicën e Kuqe’ dhe ‘Drenicën e Pashës’, histori këto që në vete kanë bartur mesazhe të mëdha.
Në kohën e sundimit turk Drenica prap mbeti e papërkulur dhe e panënshtruar. Për këtë ndarje, pavarësisht se sot nuk ekziston, në një periudhë të mëparshme kishte gojëdhëna interesante.
Rreth viteve 1850-1860, Jashar Pasha, e që njihej si sundimtar i Prishtinës, i pushtoi disa fshatra të Drenicës , të cilat sot e kësaj dite njihen me emrin Drenica e Pashës.
Për vite më radhë të moshuarit kanë treguar se pashai erdhi nga drejtimi i Prishtinës dhe pa ndonjë kundërshtim të fortë i pushtoi fshatrat deri te Qikatova.
Drenica e Kuqe ose Drenica e Epërme, në veri, që përfshin pjesën dërrmuese të fshatrave e që janë afër 80 dhe Drenica e Pashës ose Drenica e Ultë, në jug, që përfshin diku rreth 20 fshatra.
E për këtë historianët shpesh kanë hasur në telashe të një versioni komplet, e i cili është i qëndrueshëm.
Historiani, e njëherit edhe mësues në shkollën fillore të fshatit Ticë, Fehmi Qorraj, ka sqaruar se si dhe kur ka lindur kjo histori dhe cila ka qenë arsyeja e ndarjes së Drenicës në dy pjesë.
“Pasha për të treguar autoritetin ose ato cilësitë që kishte nën Perandorin Osmane, ai mendohet që i lidhi të gjithë burrat. Dëshironte të ushtronte ndikimin e tij dhe t’i lironte këta burra këtu. Në këtë kontekst Drenica e Pashës duke qenë se janë më me ndikim në Perandorin Osmane e duke pasur qasje ma rigoroze në atë pjesë atëherë ata burra, u dëbuan ose u larguan nga Drenica, nga ndikimi i Pashës”, ka thënë Qorraj.
Historiani Haxhi Ademi ka treguar pikën kryesore të nxitjes së ndarjes së Drenicës pasi që shkak kryesor i kësaj ndarje kishte qenë cenimi i nderit të femrës shqiptare.
“Si ka ardhur deri te ndarja e Drenicës së Kuqë dhe Drenicës së Pashës nuk ka ndonjë dokument të shkruar deri më tani. Nuk kemi hasur as historianët kompetentë, të cilët merren me këtë çështje, por ka një narracion publik në të cilin thuhet se Mehmet Jashar Pasha i njohur në popull si Jashar Pasha, vinte pra kishe një pozitë në kuadër të Prishtinës dhe zotëronte disa territore shqiptare . Ai i përkiste një familje të pasur shqiptare një familje fisnike shqiptare ishte pinjoll i familjes Gjinolli, që janë themelues të Gjilanit, dhe njihen për ndërtimin e infrastrukturës në Prishtinë, në veçanti siç është e njohur xhamia e Jashar Pashës dhe disa çarshi tjera për rreth. Por, si duket ky kishte qenë ma problematik për shkak se në vazhdimësi kishte pasur protesta dhe pakënaqësi të popullsisë shqiptare ndaj tij. Ky kur vie ta shtroj zotimin e tij në Drenicë do të thotë përveç tjerash ishte mirëpritur mirë nga popullsia e asaj ane për shkak se shqiptarët e kishin traditë mikpritjen dhe ai si duket e ka keqkuptuar këtë dhe kërkoi një vajzë të asaj zone dhe kjo gjë thyente nderin kulturën dhe traditën e shqiptarëve dhe që nga aty do të thotë shqiptarët e asaj zone u thyen me të”, ka treguar Ademi.
Sipas historianit Ademi, kur kërkoi vajzën Jashar Pasha, duke pasur model ndoshta sulltanët e më hershëm që udhëhiqnin me Perandorinë Osmane në atë moment u thye me banorët lokal të asaj zone.
“Dhe, që nga ajo periudhë do të thotë kemi ndarje që i bie do të thotë në shek.XIX, do të thotë kemi ndarjen në Drenica e Kuqe dhe Drenica e Pashës sepse pasha arrin të shtrijë pushtetin e tij vetëm në 20% të territorit d.m.th në disa fshatra që tanimë është vetëm prej hekurudhës dhe këtej Prishtinës, ndërsa në 80% e fshatrave të Drenicës, Jashar Pasha nuk arriti ta shtrijë pushtetin e tij dhe ajo pjesë njihet në popull edhe si Drenica e Kuqe. Nuk ka ndonjë dokument të shkruar për sa i përket çështjes së si ka mbetur vetëm ka narracion publik të cilin e ka potencuar fillimisht studiuesi Anton Qeta mandej e kanë pasuar të tjerët.”
Se historia e Drenicës së Kuqe lidhet pikërisht me kundërshtimin e këtyre kërkesave të Pashait e shpërthimin direkt të rezistencës së popullsisë së kësaj ane e ka thënë edhe historiani Fehmi Qorraj.
“Drenica e Kuqe e merr emrin të përgjakjes që ndodh mes forcave Osmane dhe rezistencës së popullsisë kësaj zone. Pjesa e Drenicës së Kuqe çdo herë kishte më shumë beteja, luftime, të cilat asnjëherë nuk e kanë pranuar t’i nënshtrohen autoritetit të Pashës dhe në këtë kontekst, pabindshmëria e këtyre njerëzve dhe numri i zonave që kanë qenë të gjakosura e merr edhe vetë emërtimin si Drenicë e Kuqe meqenëse Drenica e Pashës ishte ba një dorëzim ndoshta më i madh ose më mirë me thanë ma i leht ose më i butë pa naj rezistencë të madhe ndërsa pjesa tjetër kishte rezistencë gjatë Perandorisë Osmane dhe në këtë rast përmendet djegia e Istikameve të Perandorisë Osmane, të cilat i përmendim në fshatin Llaushë, të ndërtonte një qytet të kohës edhe në Skenderaj. Duke qenë se qytetet e tjera kishin kala kishin rrugë të rregulluara atëherë u vendos që të jetë edhe në Skenderaj, por njerëzit e kësaj ane u grumbulluan diskutuan morën vendime që të djegin ato istikame të mos ketë gjurmë të Perandorisë Osmane në këtë zonë të Drenicës dhe në këtë rast çdo herë si me thanë përleshje apo ballafaqime mes forcave osmane apo atyre të rezistencës shqiptare.”
Historiani Qorraj e ka përmendur po ashtu, se kjo histori është përcjellë brez pas brezi në forma të ndryshme.
“Drenica e Kuqe në çdo betejë tregonte që pa naj luftim të madh nuk mundet me u thy lehtë. E kena edhe më vonë në kohën e Serbisë betejat e Kamerloshit, betejën e Shaban Polluzhës, Tahir Mehës deri te ardhja e familjes Jashari. Drenica e kuqe sakrifikonte familjet për çështjet të atdheut d.m.th ka pas raste kur krejt familja kanë qenë në katin e parë të shtëpisë ndërsa në katin e dytë kanë qenë rezistencë shqiptarë duke u ballafaqu qoftë herë me Perandorinë Osmane, herë edhe me forcat serbe. Këta individ të cilët rezistonin duke e përfshirë edhe Azem Bejtën, tregon që edhe familja nuk ishte më e shenjt se sa kombi.”
Një nga pleqnarët e fshatit Abri ka rrëfyer për arbresh.info për historinë e treguar nga pleqnarët e asaj kohe që është përcjellë nëpër oda për shekuj me radhë.
Ismet Smakaj, banor i fshatit Abri njëherit edhe profesor i pensionuar tashmë, shpjegoi se ekzistojnë disa hipoteza në lidhje me këtë histori por që e gjithë kjo daton me ardhjen e Pashës në trevat e Drenicës.
“Sipas pleqve të Abrisë ka disa hipoteza një ndër ato është se kur Pasha ka ardhë në Drenicë, kryesisht në Kosovë, në Drenicë është vendos një pash në Drenicën e naltë, se faktikisht janë Drenica e naltë dhe Drenica e ultë ose e poshtm. Në Drenicën e poshtme jemi ne, Drenica e naltë është ajo mbi hekurudhë prej Drenasit anej. Kur është vendos ai aty thuhet se ka pas disa kushte në fshatra ku ka kërkuar ushqim të mirë për ushtrinë e vetë, ka kërkuar fjetje të mirë, ka kërkuar për vete për çdo natë nga një dash të pjekur ndërsa disa kushte nuk ka mundur me i përballu Drenica jonë, ka kërku edhe nga ne ato. Mirëpo kur ka kërkuar në Drenicën tonë edhe një femër, i kanë vra ushtarët se nuk kanë pranu. Për atë thonë se është Kuq Drenica, dhe i ka mbet Drenica e Kuqe knej e Drenica e Pashës është ajo Drenica e naltë.”
Tutje Smakaj tha se kjo ndarje nuk ekziston më dhe për fund të kësaj bisede ai na e tha edhe një mesele e cila lidhet pikërisht me kohën e ndarjes së këtyre dy Drenicave.
“Ndarja e tyre është përdorur më herët besoj se ma Drenicat nuk janë të ndame me komuna dhe me regjione por kurrsesi Drenicë e Kuqe dhe e Pashës. Nuk përdoret më”.
Të rinjtë sot nuk janë në dijeni se si dhe nga erdhi kjo histori këtë nuk e gjejnë as në librat shkollorë e shumë rrallë arrin ta dëgjojnë edhe nga të moshuarit e tyre.
Të dy historianët pohuan faktin se shumë nga betejat më me rëndësi të Kosovës nuk përmenden në librat shkollorë, vetëm ajo e luftës së lavdishme të UÇK-së, por që edhe ajo gjendet vetëm në disa rreshta.
“Dy ngjarje nuk përmenden fare në historinë e klasave të nënta përveç se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe ajo e ka një hapësirë më të vogël se sa që e meriton. Me pak rreshta është e përfshime, ndoshta rishikimi i teksteve që do të ndodhë, mund të jetë ai që do t’i jap ose hapësirë më shumë luftës së UÇK-së mirëpo edhe luftës së Drenicës. Tash brezat e rinjtë vetëm nga ana e mësimdhënësit sa mujn me ndëgju edhe nga anëtarët e familjes, të cilët në Drenicë, kryesisht në atë të Kuqe, shumica kanë pas anëtarë të familjes, të cilët kanë qenë pjesë e forcave balliste të Shaban Polluzhës”, ka deklaruar Fehmi Qorraj.
Edhe për historianin Ademi, luftërat e Drenicës nuk janë shumë të dokumentuara, dhe të përmbledhura.
“Të dhënat historike edhe institucionet më kredibile nuk e permendin shumë këtë fakt. Tani si studiues bashkë me disa studiues të tjerë jemi duke u marrë me një projekt që ka për synim Drenicën në fushën e historisë që ta zë një vend të veçantë. Kjo siç e thamë edhe më pare ruajtja e nderit të femrës shqiptare dhe si fenomen duhet për ta potencuar të krijojmë një narracion të vërtet për perceptimin e shqiptarëve që kanë synuar në vazhdimësi ta mbrojnë femrën shqiptare”, ka thënë Ademi.
Drenica historikisht, dhe ndwr shekuj, do të mbetet si një ndër zonat që asnjëherë nuk ju nënshtrua pushtuesit. Qëndresa e tyre pati rolin kyç edhe në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës si shtet./arbresh.info/
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut