Borxhet dhe prishja e pazareve të drogës: Pistat e vrasjes së 31-vjeçarit në Vlorë

00:52 | 5 Mars 2021
Trina Galanxhi

Ekzekutimi i të riut Tauland Gjikaj mesditën e së mërkurës në Vlorë, po hetohet për borxhet e tij dhe prishja e pazareve të paligjshme.

Sipas informacioneve, dyshimet janë ngritur pas zbardhjes së bisedave dhe mesazheve që 31-vjeçari kishte shkëmbyer pak para ngjarjes në telefon. Bisedat mësohet se kanë qenë të ashpra, me debate dhe ofendime.

I vetmi i arrestuar deri më tani është Hansi Jonuzi, i cili ka mohuar të jetë i përfshirë në vrasjen e të riut, pavarësisht se u ndalua në automjetin që u përdor për të kryer eliminimin e Gjikajt dhe në makinë iu gjet një armë kallashnikov.

Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë policia ka identifikuar dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë, të cilët sipas Tv Klan dyshohet se janë Skerdjan Gabrani 36 vjeç dhe Elton Hajnaj 45 vjeç.

Ata kanë qenë miq me njëri-tjetrin, ndaj 31-vjeçari ndaloi në momentin që ata i dolën para në rrugë. Agresorët ishin të pamaskuar dhe teksa njëri i drejtohet me fjalë tjetri ka hapur zjarr nga pas. Viktimës i është gjetur një pistoletë me vete.

Policia e Vlorës ka organizuar kontrolle të shumta për kapjen e 2 autorëve, por pa rezultat. 14 persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.

31-vjeçari Tauland Gjikaj njihej dhe me dy mbiemrat e tjerë, Beqiraj dhe Manaj, ndërsa rezulton një person me të shkuar të pasur kriminale. I riu është përfshirë në një përplasje me armë në Vlorë në Shkurt të 2018, ndërsa është arrestuar dhe dy herë të tjera për armëmbajtje pa leje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme