Opozita maqedonase kritikon planin e ri kundër korrupsionit

09:14 | 4 Mars 2021
A. B.

Plani i veprimit për luftimin e korrupsionit i miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, sipas opozitës, nuk do të japë rezultatet që pretendon ajo, meqë OBRM-PDUKM-ja vlerëson se këtë betejë nuk mund ta udhëheqin drejtuesit e qeverisë, të cilët sipas opozitës, përmenden në të gjitha aferat korruptive në vend.

“(Kryeministri maqedonas) Zoran Zaev dhe (zëvendëskryeministri) Lupço Nikollovski nuk mund ta luftojnë korrupsionin sepse ata janë burim i korrupsionit. Nuk ka asnjë aferë kriminale që nuk përmend Zaevin ose ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Në vend të një lufte thelbësore, gjithçka u reduktua në konferenca boshe për shtyp. Nuk ka asnjë procedurë për aferat e shumta, si për rastin ‘Reketi’, apo ndonjë epilog për krimin prej gjysmë miliardi eurosh lidhur me aferat bankare dhe shumë raste tjera që implikojnë zyrtarë të lartë në shpërdorim të detyrës zyrtare”, thuhet në reagimin e partisë maqedonase në opozitë, OBRM-PDUKM.

Plani i qeverisë prej 14 pikave, i prezantuar nga kryeministri, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për luftimin e korrupsionit, Lupço Nikollovski, parasheh veç tjerash, formimin e një institucioni të veçantë apo formimin e një rrjeti të institucioneve kryesore për shkëmbimin e të dhënave, me qëllim detektimin e rasteve korruptive. Pastaj, ky plan parasheh edhe konfiskimin e parave të fituara në mënyrë të paligjshme, reforma në nxjerrjen e certifikatave nga libri amë ku mendohet se ka pasur korrupsion, pastrimin e gjyqësorit, digjitalizimin e prokurorisë në kuptimin e eliminimit të mundësisë së zvarritjes së lëndëve, rritjen e kompetencave të inspektorëve, e masa tjera.

“Ne jemi të vendosur që përfundimisht të eliminojmë mbetjet e regjimit të kaluar dhe njëkohësisht të avancojmë shërbimet që me përkushtim të bëjnë punën e tyre… Jemi në një vit jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe ‘Plani 21’ do të thotë rregull, drejtësi, disiplinë dhe asgjë më pak se kaq”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev gjatë prezantimit të planit të veprimit për luftë kundër korrupsionit.

Nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, thonë se beteja kryesore bie mbi këtë institucion, por ky komision po përballet me mungesë të kuadrit të nevojshëm, ndërsa deri para pak kohësh kishte edhe mungesë të hapësirave për punë. Komisioni përballet edhe me mungesë të fondeve.

“Ajo që qeveria ka miratuar apo plani i veprimit për luftë kundër korrupsionit ka për qëllim përmirësimin e kapacitetit të institucioneve, që duhet të kenë rol të rëndësishëm në zbatimin e strategjisë kombëtare kundër korrupsionit. Strategjia që ne kemi hartuar dhe që është miratuar në kuvend është një dokument shumë i rëndësishëm, pasi Ligji i ri për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, i miratuar në kuvend, i jep një rëndësi të veçantë strategjisë e cila fiton në peshë dhe bëhet më e pranueshme për të gjithë aktorët në shoqëri”, thotë Biljana Jovanovska, kryetare e Komisionit kundër korrupsionit.

Me mungesë të fondeve përballen edhe institucionet tjera, si Policia Financiare, Prokuroria Publike e të tjera, që do të jenë pjesë e rrjetit të institucioneve për përballje me korrupsionin.

Por, Bashkim Selmani, njohësi i çështjeve juridike, thotë se formimi i një rrjeti të tillë mund të shkelë në privatësinë e qytetarëve, pasi tani përveç Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, në të dhënat e qytetarëve, qasje do të kenë edhe më shumë institucione të tjera.

“Pra, në këtë rast ekziston rreziku i mungesës së transparencës dhe keqpërdorimit sepse duke e ditur mentalitetin e funksionimit të institucioneve dhe individëve, atyre do t’u jepet më shumë kompetenca dhe në këtë rast mund të bëjnë selektime se kë mund të akuzojnë apo cilin ta kapin në flagrancë”, thotë Selmani, duke mbështetur qëndrimin e tij në aferën e përgjimeve, ku siç thotë ai, mijëra qytetarë janë përgjuar në mënyrë të paligjshme duke shkelur privatësinë e tyre.

Qeveria edhe më parë ka prezantuar plane të ngjashme për luftimin e korrupsionit, por ato ose nuk janë zbatuar ose nuk kanë dhënë fare efekte. Në renditjen e fundit të indeksit të korrupsionit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 111-të në botë, që paraqet rezultatin më të keq të saj që nga viti 2001./Rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme